Prokurorët në Nju Jork pritet të ngrenë akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me torturimin e dyshuar të shtetasve amerikanë që janë mbajtur në paraburgim nga qeveria venezueliane gjatë viteve të fundit, bëjnë të ditur disa persona në dijeni të hetimeve.

Njoftimi për akuzat e reja mund të bëhet që të enjten, thanë këta persona.
Akuzat e reja lidhen me atë që qeveria amerikane e ka cilësuar si ndalim të padrejtë të më shumë se një duzinë shtetasve amerikanë në burgjet venezueliane, gjatë kohës kur Maduro drejtonte një regjim represiv në Venezuelë, thanë personat e informuar për hetimet, transmeton Klankosova.tv
Hetuesit kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj disa personave të tjerë për rolin e tyre të dyshuar në torturimin e amerikanëve, sipas një burimi në dijeni të çështjes.
CNN ka kontaktuar avokatët e Maduros dhe Flores për një reagim.
Maduro dhe bashkëshortja e tij u arrestuan gjatë një operacioni ushtarak amerikan në janar, në pallatin presidencial në Karakas. Ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për komplot për narkoterrorizëm dhe akuzave të tjera, ndërsa po mbahen në Nju Jork pa mundësi lirimi me kusht.
Flores pritet të paraqitet në një seancë gjyqësore të enjten, ku avokati i saj do të kërkojë që ajo të vendoset në arrest shtëpiak deri në fillimin e gjyqit.
Avokati i Maduros po kundërshton ligjshmërinë e arrestimit dhe argumenton se ish-presidenti duhet të gëzojë imunitet, pasi veprimet e pretenduara kanë ndodhur gjatë kohës që ai ishte në detyrë.
Sipas prokurorisë, qeveria venezueliane nuk është bashkuar me pretendimin për imunitet në emër të Maduros.




