Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, ka raportuar nga Kuvendi i Kosovës, ku në rend dite është shtuar edhe pika për Ligjin e Speciales.

Bellagoshi ka bërë të ditur se, pas diskutimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ligji pritet të hidhet sot në votim në Kuvend.
“Meqenëse në Komisionin për Legjislacion sot është diskutuar ky ligj, e vetmja formë, sipas LVV-së, është që ai të hidhet në votim është pa ndryshuar përmbajtja, ashtu siç është kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula.
Po ashtu, LVV-ja ka kërkuar mbështetjen e PDK-së përmes votës, ndërsa kjo e fundit e ka mbështetur këtë variant, duke paralajmëruar se të hënën do të paraqesë një nismë tjetër ligjore që ka të bëjë me ndryshimet e kërkuara. Tashmë, në pikën e 11-të të rendit të ditës pritet të votohet ligji me përmbajtjen aktuale, ndërsa të hënën pritet të procedohen ndryshimet e kërkuara.
Se cilat do të jenë konkretisht këto ndryshime, ende nuk është bërë e ditur dhe as nuk janë diskutuar gjatë ditës së sotme, pasi votimi pritet të bëhet me përmbajtjen e njëjtë të ligjit”, ka raportuar Bellagoshi nga Kuvendi.
Ajo ka njoftuar se votimi pritet të zhvillohet më vonë, pasi seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës, përfshirë edhe interpelancën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.





