Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Cobra”, dhe Andi Pajaziti, i njohur si “Italiani”, raportohet se janë përfshirë në një përleshje fizike mes vete në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Incidenti ka ndodhur më 07.11.2026, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar se në këtë rast janë përfshirë dy të dënuarit.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, ka bërë të ditur se pas incidentit, të dy të dënuarit janë trajtuar nga stafi shëndetësor i burgut, në përputhje me procedurat standarde.
“Ndaj të dënuarve janë ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa rasti është duke u hetuar edhe nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues të Kosovës, raporton kallxo.com.
Institucioni nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me rrethanat që i paraprinë incidentit apo natyrën e lëndimeve të të përfshirëve.
Dibran Hoxha i akuzuar për vrasjen e kuksianit në klubin “Cobra City” është dënuar me 23 vite dënim me burgim kurse për armëmbajtje i njëjti është dënuar me 2 vite burgim. Dënim unik për Dibran Hoxhën i njohur me nofkën “Kobra” është përcaktuar dënimi prej 24 vite burgim.
Kurse, Andi Pajaziti për veprën penale “armëmbajtje pa leje” është dënuar më 2 vjet burgim dhe në këtë dënim do t’i llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim.
Ai ishe akuzuar për vrasje në lokalin “BonVivant” në Prishtinë ku ishte vrarë Kastriot Ramadani, por Gjykata e Prishtinës e kishte liruar nga kjo akuzë.
Më 31.01.2025, Pajaziti ishte liruar nga Gjykata Themelore me arsyen se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarit, përkatësisht “veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme”.
Këtë vendim të Gjykatës Themelore, që e kishte marrë Gjyqtari, Eroll Gashi, e ka vërtetuar edhe shkalla e dytë e gjyqësorit.





