LEX | Vdekja e pacientes në QKUK, infermierja dëshmon në gjykimin ndaj katër mjekëve: Bëmë gjithçka që u kërkua

LEX | Vdekja e pacientes në QKUK, infermierja dëshmon në gjykimin ndaj katër mjekëve: Bëmë gjithçka që u kërkua

LEX | Vdekja e pacientes në QKUK, infermierja dëshmon në gjykimin ndaj katër mjekëve: Bëmë gjithçka që u kërkua

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të hënë ka vazhduar gjykimi ndaj katër mjekëve, Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, të cilët akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor lidhur me vdekjen e pacientes S.F. në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në vitin 2016.

Sponsor 3M Express

Në seancën e sotme është dëgjuar dëshmitarja Valbona Kelmendi-Gashi, infermiere, e cila para trupit gjykues deklaroi se stafi mjekësor kishte ndërmarrë të gjitha veprimet që ishin kërkuar për trajtimin e pacientes.

Sipas dëshmitares, për pacienten ishte kërkuar konsultimi i neurologut dhe ishte realizuar edhe ekzaminimi me tomografi kompjuterike (CT).

Ajo theksoi se ishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur, duke shtuar se për këtë mund të dëshmojnë edhe familjarët e së ndjerës.

Kelmendi-Gashi deklaroi se gjatë administrimit të dozës së dytë të gjakut, pranë pacientes kishin qenë bashkëshorti dhe vëllai i saj, ndërsa kunata kishte qëndruar vazhdimisht aty.

Dëshmitarja sqaroi se infermierët përgatisin kërkesat për gjak, plazmë apo produkte të tjera të gjakut, ndërsa më pas kontaktojnë Klinikën e Transfuzionit për të konfirmuar nëse produktet janë të gatshme për t’u tërhequr.

Ajo deklaroi gjithashtu se qeset e zbrazëta të gjakut nuk ruhen, ndërsa pacientja kishte marrë dozën e dytë të gjakut dhe plazmën në Emergjencë.

Sipas saj, pacientja ishte sjellë me autoambulancë pasi kishte humbur vetëdijen.

Çfarë pretendon Prokuroria?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, katër mjekët dyshohet se më 20 janar 2016, gjatë trajtimit të pacientes në QKUK, kanë përdorur metoda të papërshtatshme mjekësore, duke shkaktuar përkeqësimin e gjendjes së saj shëndetësore, që përfundoi me vdekje.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Vjosa Zejnullahu kishte nënvlerësuar ankesat e pacientes lidhur me reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe kishte vazhduar administrimin e tij pa konsultimin e transfuziologut.

Ndërkaq, Selman Demolli dhe Myzeine Muja akuzohen se nuk kishin vepruar sipas protokolleve standarde të trajtimit, duke mos rekomanduar konsultimin me specialistin e transfuzionit, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes së pacientes.

Sa i përket Bashkim Shehollit, Prokuroria pretendon se ai kishte rekomanduar realizimin e CT-së së trurit, duke anashkaluar konsultimin me transfuziologun.

Një tjetër pretendim i rëndësishëm i aktakuzës lidhet me mosruajtjen e qeses së gjakut, e cila, sipas Prokurorisë, do të mund të shërbente si provë për të përcaktuar nëse kishte pasur ndonjë reagim gjatë transfuzionit.

Të katër të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 260, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Gjykimi po zhvillohet para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Adnan Kamberi, me anëtarë Sulltane Hotin dhe Alban Ajvazin.

Seanca e sotme është ndërprerë për shkak të përfundimit të orarit të punës së Gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LEX | Vdekja e pacientes në QKUK, infermierja dëshmon në gjykimin ndaj katër mjekëve: Bëmë gjithçka që u kërkua appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Iraola kërkon durim për rikuperimin e Szoboszlai

Iraola kërkon durim për rikuperimin e Szoboszlai

Luis Enrique për Barcelonën: I ndjek ndeshjet si tifoz, por dua ta mposht

Luis Enrique për Barcelonën: I ndjek ndeshjet si tifoz, por dua ta mposht

Bellingham drejt vazhdimit të kontratës me Real Madrid

Bellingham drejt vazhdimit të kontratës me Real Madrid