Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!

Kur Prishtina kishte vetëm tri restorante!
“Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik. Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht. Nga: Antigona Uka (Shtojca “Jeta”, rubrika “Studentët dikur e tash”, Javorja “Zëri”, 2002) Gjeneratat e mëhershme […]

“Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik. Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht.

Nga: Antigona Uka (Shtojca “Jeta”, rubrika “Studentët dikur e tash”, Javorja “Zëri”, 2002)

Gjeneratat e mëhershme të studentëve, ato të viteve të gjashtëdhjeta e më vonë, argëtoheshin ndryshe nga studentët e sodit. Në argëtimin e tyre kishte diçka të pashpjegueshme e që linte mbresa të pashlyeshme. Ishte kjo dashuria dhe respekti që ushqenin ndaj njëri-tjetrit, ndaj shokut, mikut, të dashurit/ës, apo kishte diçka tjetër?! Së paku kështu mendojnë ata. Ndoshta vërtet ishin kohë më të mira, apo ata të kaluarën e shohin nën dritën roze të nostalgjisë për rininë e tyre. Megjithatë, të rinjtë e shekullit të ri duket se janë të vetëdijshëm se megjithatë u mungon diçka nga vlerat e gjeneratave të mëhershme kosovare. Se si e kalonin kohën e lirë kur ishin studentë apo si e kalojnë ata të sotmit – për “Jetën” flasin breza të ndryshëm studentorë …

Numri i pakufishëm i lokaleve vetëm në kryeqytet, është pothuajse e vetmja mënyrë argëtimi për të rinjtë, derisa për gjeneratat e mëhershme lokalet numëroheshin në gishtat e njërës dorë, fillimisht përmenden vetëm tri të tilla e pastaj numri i tyre filloi të rritej shumë ngadalë.

“Ishin të pakta restorantet në rininë time, por megjithatë ekzistonte një respekt shumë i madh për shoqërinë”, thotë Justina Shiroka-Pula, pedagoge në Fakultetin Ekonomik.

Zonja Justinë me keqardhje përmend faktin se respekti i dikurshëm për shoqërinë tashti mungon tmerrësisht. “Është e pamundshme të dalësh sot në ndonjë lokal e të mos hasësh në të rinj që konsumojnë alkool, dehen e pastaj çdo gjë kalon në ekstrem”.

Vendet ku rinia, sidomos adoleshenca i kalon ditët e sotme, janë diskotekat, të cilat i vizitojnë edhe studentët.

Teatri – artistëve!

Ardiana Musa, studente nga Peja, është një nga të rejat kosovare që argëtimin kryesor e gjen në diskotekën “Diabllo”. Ardiana nuk e viziton teatrin e pothuajse as kinon, me përjashtim kur ka ndonjë film shumë të mirë për medimin e saj. Ardiana, si shumë bashkëmoshatarë të saj, është viktimë e kohës në të cilën po jetojmë. As ajo s’mund të ndryshojë diçka nga rrjedha e jetës, apo të organizojë diçka individualisht.

Organizimet brenda universitetit tonë mungojnë. Po ashtu mungon edhe respekti i shoqërisë, ngase, sipas saj, shumica e studentëve ndahen në grupe sipas regjioneve prej nga vijnë.

Derisa gjeneratat para nesh argëtoheshin më shumë në teatër, në kino, por edhe në ballo që ata i organizonin me vetiniciativë, të rinjve të sotëm ballot u duken si shumë ‘demode’, ndërsa arsyen pse nuk e vizitojnë teatrin nuk dinë ta shpjegojnë as vetë.

“Pse një student të mos e vizitojë teatrin?” – pyet Nuhi Kuqinja, ish-student në vitet e ‘80-ta.

“Mendoj se njëri prej institucioneve, i cili ndikon në ngritjen e nivelit të kulturës, është teatri. Aty ne mësonim dhe merrnim mesazhe të ndryshme të cilat nuk do t`i harrojmë kurrë”, thotë ai.

Kafiteritë monotone

Por, disa të rinj kanë përgjigje edhe për këtë mungesë të tyre në teatër.

“Teatri nuk është ndonjë vend i cili tërheq. Aty më tepër ka artistë në skenë sesa publik në sallë”, thotë Xhelal Çollaku, student i vitit të katërt në Fakultetin e Kimisë.

Xhelali hamandet të japë ndonjë shpjegim për mos vizitë të teatrit, duke harruar se në karriget e sallës duhet të ulet ai me shokët e tij e jo aktorët.

Edhe pse secili nga të rinjtë e anketuar i konsideron si monotone mbrëmjet e kaluara në kafiteritë e kryeqytetit, megjithatë asnjëri prej tyre s’mund të heqë dorë nga vizita e tyre. Ata i gjen sërish aty, ditën, natën, vikendeve, aty në njërën nga kafiteritë e preferuara.

Mungojnë aktivitetet e lira, mungon marrja me ndonjë hobi, siç bënin më parë gjeneratat para nesh. E vetmja gjë me të cilën ata mund të krenohen para baballarëve të tyre, para gjeneratave të vjetra, është se janë më të bukur se ata, sepse raca shqiptare po përmirësohet dita-ditës?! E, me këtë konkludim të fëmijëve të tyre, prindërve s’mund t`u ndodhë gjë tjetër veçse t`i mbërthejë vaji. /Telegrafi/

Lexo edhe

Mbappe në telashe te Real Madridi? Mourinho e qortoi për veprimin e fundit

Mbappe në telashe te Real Madridi? Mourinho e qortoi për veprimin e fundit

Apeli në Hagë, Krasniqi: Energjinë ta fokusojmë në rrëzimin e NPK-së (VIDEO)

Apeli në Hagë, Krasniqi: Energjinë ta fokusojmë në rrëzimin e NPK-së (VIDEO)

Hoti: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike

Hoti: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike