Italia synon të vendosë radarë në Ballkan për të mbrojtur shtetet e rajonit dhe territorin e saj, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Njoftimi u bë në margjinat e ceremonisë së ndërrimit të komandës së misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga gjeneralmajori turk Ozkan Ulutash te gjeneralmajori italian Roberto Vergori.
Crosetto theksoi se Ballkani përbën “një gur themeli” për sigurinë e Italisë dhe se Roma do të vazhdojë angazhimin e saj në rajon edhe nëse zvogëlohet prania e KFOR-it në Kosovë.
“Po e rifillojmë komandën me gjeneralin Vergori dhe këtë e bëjmë me një angazhim që do të vazhdojë edhe nëse KFOR-i i zvogëlon operacionet në Kosovë, sepse Ballkani është një komponent thelbësor i sigurisë sonë. Sigurimi i Ballkanit dhe mundësia e vendosjes së radarëve në të ardhmen, për t’i mbrojtur si këto shtete, ashtu edhe vendin tonë nga kërcënimet, janë thelbësore”, deklaroi ministri Crosetto, raporton agjencia italiane e lajmeve “Ansa”, transmeton Klankosova.tv.
Ai mori si shembull sulmin e fundit nga Huthët në Arabinë Saudite, duke potencuar se raketat e përdorura nga ta, ishin prodhuar pikërisht nga ta.
“Kur mendoni se raketat që goditën aeroportet në Arabinë Saudite u prodhuan nga rebelët Huthi, e jo nga inxhinierë të sofistikuar, dhe se ato arritën shpejtësi prej 8.500 kilometrash në orë, e kuptoni natyrën e kërcënimeve me të cilat do të përballen të gjitha shtetet në të ardhmen. Kjo e thekson rëndësinë e ruajtjes së pranisë në vendet mike përgjatë kufijve, me qëllim të krijimit të një mburoje të përbashkët mbrojtëse, e aftë për t’u përballur me kërcënime të tilla”, shtoi Crosetto.
Sipas ministrit italian, vendosja e radarëve do të ndihmonte në krijimin e një mburoje të përbashkët mbrojtëse dhe në zbulimin e kërcënimeve të mundshme.




