Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj ka njoftuar se sot po udhëton drejt Hagës, ku më 17 nëntor pritet të shpallet vendimi në procesin gjyqësor ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kilaj ka deklaruar se pret drejtësi, ndërsa ka shprehur mbështetjen e tij të vazhdueshme për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot po nisem për në Hagë! Me 17 nëntor e kemi verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë-përjetësisht do të jem me Çlirimtarët”, ka shkruar Kilaj në Facebook.
Të martën e 17 nëntorit, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në gjykimin për administrim të drejtësisë.
Në këtë proces përfshihet edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi./KP
Burimi: Dukagjini





