Ish-futbollisti i Kombëtares së Spanjës, David Silva, e ka përzgjedhur mesfushorin e Paris Saint-Germainit, Fabian Ruiz, si favoritin e tij për ta fituar Topin e Artë, ndërsa ka paralajmëruar Real Madridin se gara për titullin e La Ligës mund të jetë shumë e vështirë nëse Barcelona vazhdon me formën aktuale.

Duke folur në “El Partidazo” të COPE, Silva ka vlerësuar trofetë e fituar nga Fabian Ruiz dhe rëndësinë e tij për Paris Saint-Germainin dhe Kombëtaren e Spanjës.
“Për mua, suksesi kolektiv vjen i pari, sepse ndryshe nuk mund ta fitosh. Por, nëse do të duhej t’ia jepja dikujt, do të ishte Fabiani, sepse gjatë dy viteve të fundit ai është lojtari që ka fituar më së shumti trofe.
Ai ka qenë i rëndësishëm te PSG-ja dhe më pas edhe me Kombëtaren. Nuk i jepet shumë rëndësi, nuk e di pse, sepse është një lojtar i madh. Më pëlqen shumë dhe, në heshtje, ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, ka thënë Silva.
Ish-mesfushori i Manchester Cityt ka përmendur edhe Rodrin, i cili tashmë e ka fituar Topin e Artë.
“Rodri e ka fituar tashmë, përndryshe do ta kisha përmendur edhe atë”.
Silva është pyetur gjithashtu nëse Real Madridi mund ta përmbysë diferencën prej gjashtë pikësh ndaj Barcelonës dhe të luftojë për titullin e La Ligës.
Ish-futbollisti i Valencias dhe Manchester Cityt ka qenë i qartë për vështirësinë që e pret Real Madridin nëse Barcelona vazhdon me këtë nivel.
“Nëse Barça vazhdon kështu, është e pamundur. Ata janë në një nivel të jashtëzakonshëm dhe prej disa vitesh po luajnë shumë mirë me këtë trajner (Flick), ndërsa janë përforcuar shumë mirë. Nëse vazhdojnë në këtë nivel, nuk do të kenë rival”.
“Përtej kësaj, Real Madridi është Real Madridi. Nuk mund ta konsiderosh kurrë të vdekur, sepse ka lojtarë të mëdhenj dhe, nëse qëndron afër deri në fund të kampionatit, mund të konkurrojë. Por insistoj, nëse Barça vazhdon në këtë nivel, nuk mendoj se do të ketë rival”, ka përfunduar Silva.
Silva u pensionua nga futbolli profesionist në vitin 2023, pas një karriere në Valencia, Manchester City dhe Real Sociedad, ndërsa me Kombëtaren e Spanjës zhvilloi 125 paraqitje nga viti 2006 deri më 2018.
40-vjeçari së fundmi ka bërë të ditur se do të paraqitet një herë për Supreme Sha Tin në Ligën Premier të Hong Kongut, ndërsa vazhdon ta ndjekë nga afër futbollin spanjoll./Telegrafi/




