I zhdukur prej një jave, shqiptari gjendet i pajetë në një kanal në Itali

I zhdukur prej një jave, shqiptari gjendet i pajetë në një kanal në Itali

I zhdukur prej një jave, shqiptari gjendet i pajetë në një kanal në Itali

Një 75-vjeçar shqiptar, Eqerem Ahmetaj, është gjetur pa shenja jete në një kanal në zonën rurale të San Zenos, pranë qytetit të Breshias në Itali.

Sponsor 3M Express

I moshuari rezultonte i zhdukur prej shtatë ditësh, ndërsa kërkimet për gjetjen e tij u mbyllën me një përfundim tragjik mesditën e së shtunës, më 28 nëntor.

Sipas raportimeve të mediave italiane, Ahmetaj jetonte prej rreth dy dekadash në Itali dhe qëndronte i vetëm në banesë. Pavarësisht kësaj, ai kishte mbështetjen e ish-bashkëshortes dhe tre fëmijëve, të cilët kujdeseshin për të dhe komunikonin rregullisht me të, raporton JOQ Albania.

75-vjeçari ishte larguar nga shtëpia më 21 nëntor dhe që prej asaj dite nuk ishte kthyer më. Kontakti i fundit me familjarët ishte regjistruar në orën 19:21 të së njëjtës ditë, kur ai kishte arritur të dërgonte një mesazh që shkaktoi shqetësim te të afërmit: “Kam rënë, jam i lagur”.

Pas këtij mesazhi, familjarët nuk mundën të komunikonin më me të, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta telefonuar.

Në përpjekje për të përcaktuar vendndodhjen e tij, kërkimet u orientuan drejt zonave ku ishte regjistruar sinjali GPS i pajisjes që mbante me vete. Fillimisht, sinjali kishte treguar pranë varrezave të Folzanos, ndërsa më pas ishte lokalizuar në territorin rural të San Zenos.

Pas disa ditësh kërkimesh, trupi i 75-vjeçarit u pikas nga helikopteri “Drago” i zjarrfikësve italianë, të cilët ishin angazhuar në operacion që prej së premtes. Ai u gjet në një kanal, pas disa ndërtesave bujqësore, në një zonë që ishte kontrolluar edhe më herët nga ekipet e kërkimit, por pa sukses.

Sapo morën lajmin se në San Zeno ishte zbuluar një trup i pajetë, familjarët u nisën drejt vendngjarjes, ndonëse identiteti i viktimës ende nuk ishte konfirmuar zyrtarisht.

Më pas, trupi u dërgua në spitalin Civile, ku autoritetet gjyqësore kryen procedurat për identifikimin. Pas verifikimeve, u konfirmua se viktima ishte Eqerem Ahmetaj, duke shuar përfundimisht shpresat e familjes për ta gjetur të gjallë.

Deri më tani, nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi rrethanat dhe shkakun e saktë të vdekjes së 75-vjeçarit shqiptar.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Ambasadori Abbott rikonfirmon partneritetin e Britanisë me FSK-në

Ambasadori Abbott rikonfirmon partneritetin e Britanisë me FSK-në

Eli Fara u rikthye në skenë me koncert në Gjakovë, shkëlqu me performancën në Ditën e Flamurit

Eli Fara u rikthye në skenë me koncert në Gjakovë, shkëlqu me performancën në Ditën e Flamurit

DPHM: Në Mavrovë bora arrin në 28 centimetra ndërsa më ftohtë është në Kodrën e Diellit

DPHM: Në Mavrovë bora arrin në 28 centimetra ndërsa më ftohtë është në Kodrën e Diellit