Organizatori i protestës para Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, ka akuzuar ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se i ka dhënë urdhër Policisë së Kosovës për të ndërhyrë ndaj protestuesve që po kërkojnë miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Deklarata e Hazirit është bërë gjatë protestës, në momentin kur Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
“Përveç që kanë heshtur deri sot, sot edhe na sulmuan, na goditën. Këta policë që sot janë në numër më shumë se ne, dje ishin shumë pak e ne ishim shumë, por i ruajtëm si sytë e ballit. Sot këta morën urdhër prej Xhelal Sveçlës”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka kërkuar nga deputetët që të votojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kundërshtuar lidhjen e kësaj çështjeje me zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, miratimi i ligjit nuk duhet të kushtëzohet me marrëveshje apo pazare politike.
“Politika jonë, përfaqësuesit tanë kanë zgjedhur të mos e kenë ligjin për prioritet, por me ligjin e UÇK-së të kushtëzojnë pozicionet e tyre politike”, ka thënë ai, duke u bërë thirrje deputetëve që të mos e lidhin votimin e ligjit me poste politike.
Haziri ka deklaruar gjithashtu se protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit dhe do të tentojnë të pengojnë largimin e deputetëve pa u miratuar ndryshimet ligjore.
Ndërkohë, gjatë protestës situata është tensionuar, ndërsa Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës pas hedhjes së mjeteve piroteknike dhe pengimit të lëvizjes pranë objektit të Kuvendit.
Më herët, Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 91 vota për dhe asnjë kundër. Për miratimin përfundimtar të tij kërkohet votimi në lexim të dytë./Telegrafi.




