Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se Ligji për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është hartuar, sipas tij, në përputhje me Kushtetutën dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.
Gruda ka thënë se pret që Gjykata Speciale të kundërshtojë zbatimin e ligjit, por është shprehur i bindur se institucionet e Kosovës mund të gjejnë rrugë juridike dhe institucionale për ta detyruar atë ta zbatojë.

“Pres që të bëjë obstruksione edhe ndaj zbatimit të këtij ligji. Por pyetja është: a mundemi ne, si shtet i Kosovës, ta detyrojmë që ta zbatojë? Po. Absolutisht po”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka argumentuar se ndryshimet nuk prekin Kushtetutën, por përcaktojnë më qartë juridiksionin përmes ligjit të veçantë, siç parashihet në nenin 162 dhe Amendamentin 24 të Kushtetutës.
Sipas Grudës, Dhoma e Specializuar Kushtetuese në Hagë vazhdon të ketë kompetencë për vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Dhomave të Specializuara, ndërsa kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjit të ri i takon Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.
“Ky ligj mund ta sjellë shtetin e Kosovës në një përplasje juridike dhe institucionale me Gjykatën Speciale. Nëse kjo ndodh, Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm prapa ligjit të vet”, ka thënë Gruda.
The post Gruda: Specialja mund të bëjë obstruksione, por Kosova do ta detyrojë ta zbatojë ligjin appeared first on Insajderi.




