Gjini: Kurti e ka dashur Gjykatën Speciale dhe qëllimisht e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve

Gjini: Kurti e ka dashur Gjykatën Speciale dhe qëllimisht e ka çuar vendin drejt zgjedhjeve
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se ka ndjekur një strategji të qëllimshme për ta mbajtur vendin në krizë politike dhe për ta çuar atë drejt zgjedhjeve. Gjini ka deklaruar se Kurti është ndër politikanët shqiptarë që, sipas tij, e ka mbështetur më së shumti […]

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar se ka ndjekur një strategji të qëllimshme për ta mbajtur vendin në krizë politike dhe për ta çuar atë drejt zgjedhjeve.

Gjini ka deklaruar se Kurti është ndër politikanët shqiptarë që, sipas tij, e ka mbështetur më së shumti Gjykatën Speciale.

“Kurti mbase është i vetmi politikan shqiptar që me çdo qelizë të trurit e të trupit të tij e ka dashur këtë gjykatë”, ka thënë Gjini.

Duke iu referuar qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2015, Gjini ka pretenduar se mosvotimi i themelimit të Gjykatës Speciale nga deputetët e kësaj partie ishte, sipas tij, “oportunizëm i pastër” dhe jo kundërshtim parimor.

Sipas tij, Vetëvendosje e kishte ditur se partitë në pushtet në atë kohë do ta votonin themelimin e gjykatës dhe për këtë arsye kishte zgjedhur të mos merrte pjesë në votim.

Gjini ka lidhur gjithashtu çështjen e Gjykatës Speciale me ardhjen e Kurtit në pushtet, duke deklaruar se “Gjykata Speciale është thelbi i arsyes se pse Kurti është në pushtet”.

Kryetari i AAK-së ka thënë se partia e tij, që nga qershori, e kishte paralajmëruar Kurtin se vendi mund të shkonte drejt zgjedhjeve të reja.

Ai e ka akuzuar kryeministrin se ka mbyllur të gjitha mundësitë për dalje nga bllokada politike, duke mos marrë parasysh ofertën e AAK-së, duke “poshtëruar” Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe duke luajtur, sipas tij, me Partinë Demokratike të Kosovës.

Gjini ka argumentuar se, po të kishte pasur vërtet vullnet për shmangien e zgjedhjeve, Kurti do të kishte vepruar më herët.

“Përndryshe nuk do të kishte pritur deri sot për ta votuar në parim ligjin. Do ta kishte bërë më herët”, ka deklaruar ai.

Ai ka kritikuar edhe futjen e 22 projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, si dhe kushtëzimin e votimit të ligjit për Gjykatën Speciale me votimin për presidentin.

Sipas Gjinit, këto veprime dëshmojnë se Kurti nuk ka pasur synim real shmangien e zgjedhjeve.

“Nëse vërtet dëshironte t’i shmangte zgjedhjet, win-win ka pasur. Por nuk deshi”, ka thënë ai.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike, Gjini ka reaguar edhe ndaj protestave dhe tensioneve në Prishtinë, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës dhe krismat në sheshin kryesor të kryeqytetit.

“Shohim gaz lotsjellës e krisma në sheshin kryesor të kryeqytetit, kundër vlerave tona të lirisë”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka kritikuar gjithashtu vendimin e Vetëvendosjes për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me mundësinë që Albulena Haxhiu të shpallë zgjedhjet.

Gjini e ka cilësuar situatën si “kaos të programuar nga Kurti”, duke pretenduar se kryeministri nuk e do, sipas tij, “Republikën e pavarur, të lirë dhe demokratike të Kosovës”.

Në fund, pavarësisht kritikave për situatën politike, Gjini ka thënë se Kosova do ta tejkalojë edhe këtë krizë.

“Por Kosova jonë nuk do të shkatërrohet. Do t’i mbijetojë edhe kësaj krize. Do ta mbijetojë edhe Kurtin dhe kastën e tij të keqbërësve”, ka përfunduar ai./Telegrafi.

Lexo edhe

Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

Si ta dalloni një restorant të keq sapo hyni: Detajet që e tradhtojnë menjëherë

Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga ‘aeroplani i Trumpit’

Pas CNN, edhe Politico përjashtohet nga ‘aeroplani i Trumpit’

Studimi ngre shqetësimin, paragjykimet po prekin edhe AI-në

Studimi ngre shqetësimin, paragjykimet po prekin edhe AI-në