Aleatët e Berlinit kanë të drejtë të jenë të kujdesshëm ndaj një rritjeje të papritur të shpenzimeve ushtarake gjermane që shmang bashkëpunimin me ta.

Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Kur kancelari gjerman Friedrich Merz vizitoi Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij viti për një takim të rëndësishëm me Donald Trumpin, ai ftoi në një darkë private një studiuese gjermane me bazë në Uashington – pak të njohur jashtë qarqeve të ekspertëve.
Liana Fix kishte tërhequr vëmendjen me një ese të drejtpërdrejtë në revistën Foreign Affairs, ku paralajmëronte për rreziqet që Gjermania të bëhej “hegjemonja e ardhshme e Evropës”, dominimi ushtarak i së cilës mund të arrijë t’i frikësojë fqinjët dhe ta përçajë sërish Evropën. Ky shqetësim mund të duket i largët nga realiteti i tri dekadave pas rënies së Murit të Berlinit, gjatë të cilave një Gjermani e ribashkuar dhe paqedashëse i la forcat e saj të armatosura të dobësoheshin dhe të ndryshkeshin, ndërsa krenohej se ishte një “fuqi civile” dhe predikonte ungjillin e përmbajtjes ushtarake.
Megjithatë, kombinimi i një rritjeje të papritur të riarmatimit gjerman, dyshimeve në rritje për gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mbetur garantuesi i sigurisë evropiane përmes NATO-s dhe ngritjes së partisë nacionaliste të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) – e cila aktualisht kryeson në sondazhet e opinionit – ka rizgjuar ankthet e vjetra mes fqinjëve të Berlinit, veçanërisht në Poloni dhe në Francë.
Fix, historiane dhe studiuese e lartë në Këshillin për Marrëdhënie Ndërkombëtare [Council on Foreign Relations], e ka zhvilluar argumentin e saj në një libër aktual dhe të thellë, Gjermania e riarmatosur: Rikthimi i luftës dhe fundi i iluzioneve [Germany Rearmed: The Return of War and the End of Illusions]. Mes miteve të përmbysura që ajo godet nuk është vetëm iluzioni se ndërvarësia ekonomike do ta bënte Rusinë partnere dashamirëse për Evropën – mit i cili u shemb me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Moska – por, edhe fundi i asaj që ajo e quan “iluzioni i Perëndimit” i cili kishte qenë qendror për identitetin dhe politikën e jashtme të Gjermanisë që nga viti 1945. “Nuk është se Gjermania dëshiron të largohet nga Perëndimi, por Perëndimi duket se po e braktis Gjermaninë – në veçanti rendi perëndimor i udhëhequr nga ShBA-ja”, më tha Fix në një intervistë.
Për t’u mbrojtur nga çdo tundim hegjemonik, ajo i kërkon Berlinit ta ankorojë fuqinë e tij të ardhshme ushtarake në një bashkim më të ngushtë evropian, duke ndihmuar në financimin e mbrojtjes evropiane përmes obligacioneve të përbashkëta të mbrojtjes, duke përqafuar evropianizimin e industrive kombëtare të armatimeve të kontinentit dhe duke thelluar integrimin e Bundesverit në forcat e armatosura evropiane.
Deri tani ka pak shenja se Merzi – strategjia e parë e mbrojtjes e të cilit, e publikuar në prill, u zotua ta bënte Gjermaninë ushtrinë më të fuqishme konvencionale të Evropës deri në vitin 2039 – po ia vë veshin këshillës së saj.
Duke u përballur me mungesë popullariteti, stagnim ekonomik dhe rritje të kostos së jetesës, kancelari konservator ka përjashtuar emetimin e eurobonove për të financuar mbrojtjen evropiane. Qeveria e tij anuloi dy projekte të mëdha bashkëpunimi në fushën e armatimeve me Francën – një aeroplan luftarak të brezit të ardhshëm dhe një tank. Blerjet e planifikuara të armatimeve me vlerë 123.3 miliardë euro, për të cilat Parlamenti u njoftua muajin e kaluar, vijnë në pjesën dërrmuese nga industritë kombëtare dhe amerikane, ndërsa partnerëve evropianë u mbeten vetëm thërrimet.
Sigurisht, të gjitha forcat e armatosura të Berlinit janë të angazhuara në NATO, ndryshe nga ato të Francës, dhe Gjermania i ka ftuar aleatët t’i bashkohen programit të saj evropian të mbrojtjes ajrore dhe raketore, Mburoja e Qiellit Evropian [European Sky Shield]. Gjermania është donatorja më e madhe e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Ajo po punon me Mbretërinë e Bashkuar për armë me goditje precize në thellësi. Gjithashtu, ka dislokuar një brigadë në Lituani për të ndihmuar në mbrojtjen e krahut lindor të Evropës – në dislokimin e parë të përhershëm jashtë territorit të saj që nga viti 1945.
Nacionalizmi në industrinë e mbrojtjes nuk është aspak i kufizuar vetëm në Gjermani. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë po aq mbrojtëse ndaj prodhuesve të tyre kombëtarë të armëve. Komisioneri i BE-së për mbrojtjen, Andrius Kubilius, ankohet se deri në 80 përqind e blerjeve evropiane të mbrojtjes bëhen përmes dhënies së drejtpërdrejtë të kontratave kontraktorëve kryesorë kombëtarë, pa tender konkurrues, duke shfrytëzuar një përjashtim për arsye sigurie në traktatin e BE-së.
Fakti që riarmatimi gjerman përkon me një rënie të rëndë në industritë kryesore prodhuese, si automobilat, kimikatet dhe makineritë, është një arsye shtesë për të “blerë prodhime kombëtare”. Por, Berlini, dikur në vijën e parë të ballafaqimit Lindje-Perëndim, tani mbrohet nga një zonë tampon e aleatëve të Evropës Qendrore dhe duhet të ketë interes t’i ndihmojë ata të investojnë në mbrojtjen e tyre. Për arsye praktike, është më mirë t’i ndihmojë miqtë dhe fqinjët të pajisen për të kapur dronët dhe raketat para se të arrijnë në Gjermani, sesa të presë që t’i rrëzojë të gjitha mbi Berlin dhe Frankfurt.
Fix ka të drejtë kur argumenton se, për shkak të historisë së saj të errët dhe peshës që ka në mes të Evropës, Gjermania duhet të bëjë më shumë se të tjerët për t’i qetësuar fqinjët e saj dhe për ta integruar riarmatimin e vet në struktura të përbashkëta evropiane – industriale, politike dhe ushtarake. Siç ka argumentuar Timothy Garton Ash në The Guardian, pikërisht këtë arriti Helmut Kohli një brez më parë duke e ankoruar ribashkimin gjerman në një monedhë të përbashkët evropiane.
Përndryshe, çështja e fuqisë gjermane dhe e përdorimeve të saj politike do të rikthehet pashmangshëm herët a vonë – veçanërisht nëse AfD-ja, miqësore ndaj Rusisë, e cila kundërshton ndihmën për Ukrainën dhe mbron tërheqjen nga BE-ja, vazhdon të fitojë terren në zgjedhjet gjermane.
“Çështja gjermane nuk ka vdekur”, më tha Fix. “Ajo ka vdekur në kuptimin që një Gjermani militariste nuk do të rishfaqet nën një qeveri të centralizuar. Por, çështja gjermane mund të jetë gjithashtu thjesht një çështje dominimi dhe ekuilibri. Dhe, ky është mendimi të cilin, për fat të keq, duhet ta ringjallim”. /Telegrafi/




