Konsumimi i shpeshtë i pijeve me sheqer mund të lidhet me rritjen e rrezikut për disa lloje të kancerit, por shkencëtarët theksojnë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se këto pije e shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundjen, ka shkruar Medscape.

Një studim i ri, i publikuar në revistën Gastro Hep Advances, ka zbuluar se personat që konsumonin më shumë se një pije me sheqer në ditë kishin gati 2.5 herë më shumë raste të kancerit të stomakut sesa ata që i konsumonin shumë rrallë.
Megjithatë, shifra duhet parë me kujdes: numri i rasteve ishte relativisht i ulët në të dy grupet.
Sipas studimit, në mesin e personave që pinin më shumë se një pije me sheqer në ditë, u regjistruan 16.3 raste të kancerit të stomakut për çdo 100 mijë persona në vit. Te ata që pinin më pak se një pije në muaj, shifra ishte 7.7 raste për 100 mijë persona në vit.
Studimi përfshiu më shumë se 112 mijë pjesëmarrës, të cilët raportuan zakonet e tyre ushqimore gjatë viteve.
Çka tregojnë studimet e tjera?
Hulumtimet e mëparshme kanë gjetur lidhje mes konsumit të pijeve me sheqer dhe disa llojeve të kancerit, përfshirë atë të gjirit, prostatës, pankreasit dhe zorrës së trashë. Megjithatë, rezultatet ndryshojnë sipas llojit të kancerit dhe studimit.
Një studim francez, i publikuar në revistën The BMJ në vitin 2019, zbuloi se çdo 100 mililitra shtesë pije me sheqer në ditë lidhej me një rritje prej 18 për qind të rrezikut të përgjithshëm për kancer dhe 22 për qind të rrezikut për kancer të gjirit.
Këto janë rritje relative të rrezikut, jo përqindje që tregojnë se sa njerëz do të preken nga sëmundja. Po ashtu, lidhja statistikore nuk provon vetvetiu se sheqeri është shkaku.
Si mund të ndikojë sheqeri në zhvillimin e kancerit?
Shkencëtarët po shqyrtojnë disa mekanizma të mundshëm:
Shtimi në peshë dhe obeziteti: Pijet me sheqer mund të shtojnë marrjen e kalorive dhe të favorizojnë shtimin në peshë. Obeziteti është faktor i njohur rreziku për disa lloje të kancerit.
Inflamacioni: Konsumi i lartë i sheqerit mund të lidhet me procese inflamatore në organizëm, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e qelizave.
Fruktoza: Disa studime kanë gjetur lidhje mes konsumit më të lartë të fruktozës dhe kancerit të stomakut, por nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar nëse ekziston një lidhje shkakësore.
Ende nuk dihet me siguri nëse sheqeri e rrit rrezikun për kancer në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëse një pjesë e lidhjes shpjegohet nga pesha trupore dhe faktorë të tjerë të stilit të jetesës.
A janë lëngjet e frutave më të shëndetshme?
Jo të gjitha burimet e sheqerit kanë të njëjtin ndikim.
Frutat e plota nuk janë lidhur me rritjen e rrezikut për kancer në studimet e përmendura. Ndërkaq, në studimin francez, çdo 100 mililitra shtesë lëng frutash 100 për qind natyral në ditë lidhej me një rritje prej 12 për qind të rrezikut të përgjithshëm për kancer.
Kjo nuk do të thotë se lëngjet e frutave shkaktojnë kancer, por tregon se edhe ato duhen konsumuar me masë.
Frutat e plota përmbajnë fibra dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u ngrënë, ndërsa në një gotë lëng mund të përfundojnë disa fruta, duke bërë që sheqeri i tyre të konsumohet më shpejt.
Edhe pijet me ëmbëltues artificialë kanë dhënë rezultate të përziera në studime, ndaj nuk mund të thuhet me siguri se ato janë alternativë plotësisht pa rrezik.
A duhet ta eliminojnë sheqerin personat me kancer?
Jo. Nuk ka prova të mjaftueshme se eliminimi i sheqerit nga ushqimi përmirëson rezultatet e trajtimit te personat që tashmë kanë kancer.
Qelizat kancerogjene përdorin glukozën për energji, por këtë e bëjnë edhe qelizat e shëndetshme. Kjo nuk do të thotë se duke mos ngrënë sheqer mund ta “lësh pa ushqim” tumorin.
Personat që trajtohen për kancer kanë nevojë për ushqim dhe energji të mjaftueshme, ndaj ndryshimet e mëdha në dietë duhet të diskutohen me ekipin mjekësor.
Çka rekomandojnë ekspertët?
Për të ulur rreziqet që lidhen me ushqyerjen, ekspertët këshillojnë të zëvendësohen pijet e gazuara dhe pijet e tjera me sheqer me ujë sa më shpesh, të kufizohet konsumimi i lëngjeve të frutave dhe të preferohen frutat e plota, të mbahet një peshë e shëndetshme përmes ushqyerjes së ekuilibruar dhe aktivitetit fizik, të mos ndërmerren dieta kufizuese nga frika se sheqeri mund të ushqejë kancerin, veçanërisht gjatë trajtimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Studimi zbulon lidhjen mes pijeve me sheqer dhe kancerit të stomakut – çfarë duhet të dini appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




