Një çift bashkëshortësh nga fshati Bubavec i Malishevës ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke denoncuar djalin e tyre për dhunë të vazhdueshme fizike. Sipas prindërve, 28-vjeçari kishte ushtruar dhunë ndaj tyre edhe të enjten, duke bërë që rasti të përfundonte me ndërhyrjen e Policisë dhe arrestimin e tij, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja është raportuar më 12 nëntor, ndërsa viktima janë F.K., rreth 59-vjeçare dhe bashkëshorti i saj O.K. rreth 68-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dy bashkëshortët kanë deklaruar se djali i tyre, Q.K. rreth 28-vjeçar, ushtronte vazhdimisht dhunë fizike ndaj tyre.
Ata kanë raportuar se një incident i tillë kishte ndodhur sërish më 12 nëntor, pas së cilës kanë kërkuar ndërhyrjen e organeve të rendit.
Njësitë policore të Stacionit në Malishevë, së bashku me zyrtarin përgjegjës për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, kanë ndërhyrë dhe u kanë ofruar viktimave ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, 28-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Malishevë për procedurat e mëtejshme.
Për rastin janë njoftuar edhe Mbrojtësi i Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale.
Pas konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është iniciuar procedura penale për veprën “Dhuna në familje”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





