Një ngjarje e pazakontë dhe e rrezikshme ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, ku një 26-vjeçar, në tentim për t’i ikur Policisë pasi nuk pagoi derivatet, ka përplasur ballë për ballë veturën zyrtare të policisë në Prizren.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prizrenit.
Sipas Bytyqit, gjithçka ka nisur rreth orës 06:10 në Dragash, kur një drejtues automjeti ka furnizuar veturën me derivate në një pompë dhe është larguar me shpejtësi pa kryer pagesën.
Patrullat policore në Dragash kanë tentuar ta ndalojnë të dyshuarin, mirëpo ai ka shpërfillur urdhrat e tyre dhe ka vazhduar rrugën në drejtim të Prizrenit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitet policore në Prizren janë vënë në ndjekje për ta kapur. Gjatë tentimit për ta ndaluar në rrugën “Faik Rifati” në Prizren, i dyshuari ka goditur ballë për ballë një automjet zyrtar të Policisë.
Si pasojë e kësaj përplasjeje, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore, të cilët pas marrjes së trajtimit mjekësor janë liruar.
Policia ka arritur ta vërë në pranga të dyshuarin, F.K., mashkull 26-vjeçar. Pas intervistimit në stacion policor, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





