Diaspora shqiptare po vazhdon të rritet, ndërsa të dhënat më të fundit tregojnë se mbi 2.26 milionë shtetas shqiptarë jetojnë jashtë vendit, prej të cilëve rreth 77% janë në moshë pune.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, të përfshira në Profilin Kombëtar të Migracionit 2025, diaspora shqiptare e krijuar pas viteve ’90 numëron gjithsej 2,256,346 persona. Kjo shifër përfaqëson rreth 49% të numrit të përgjithshëm të shtetasve shqiptarë.
Siç raporton mediumi ekonomik shqiptar Ekofin, rreth 1.74 milionë persona të diasporës i përkasin grupmoshës 15–64 vjeç, duke përfaqësuar një potencial të rëndësishëm njerëzor dhe ekonomik për vendin.
Të dhënat tregojnë se 18% e diasporës përbëhet nga fëmijët e moshës 0–14 vjeç, ndërsa vetëm 5% janë persona mbi 65 vjeç. Kjo dëshmon se emigrimi shqiptar nuk përfshin vetëm individë që largohen për punë, por gjithnjë e më shumë edhe familje që vendosen jashtë vendit.
Sa i përket përbërjes gjinore, diaspora përbëhet nga 52.2% meshkuj dhe 47.8% femra.
Italia dhe Greqia vazhdojnë të mbeten destinacionet kryesore të emigrimit shqiptar, ndërsa vitet e fundit është rritur prania e shqiptarëve edhe në Gjermani dhe vende të tjera të Evropës Veriore dhe Qendrore.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Eurostat-it të cituara nga “Ekofin”, gjatë vitit 2024 vendet e Bashkimit Evropian kanë lëshuar rreth 79 mijë leje të para qëndrimi për shtetasit shqiptarë, 5.5% më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Prej këtyre lejeve, 47.6% janë dhënë për bashkim familjar, ndërsa 29.1% për arsye punësimi.
Shifrat tregojnë përmasat e diasporës shqiptare dhe rëndësinë e saj në aspektin ekonomik, demografik dhe shoqëror, ndërsa emigrimi po merr gjithnjë e më shumë karakter të vendosjes afatgjatë të familjeve jashtë Shqipërisë./Telegrafi/





