Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mirëpritur tejkalimin e krizës institucionale dhe zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në pozitën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
DHTIK ka uruar Presidenten e re, duke dëshiruar që “mandati i saj të kontribuojë në forcimin e institucioneve, stabilitetin e vendit dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të Kosovës”.
Në këtë deklarim, Dhoma tha se një cikël i ri zgjedhor do të mund të sillte pasiguri të mëtejshme dhe të ndikonte në gjendjen ekonomike e sociale të vendit.
Me tejkalimin e kësaj situate, DHTIK kërkon nga të gjitha institucionet e vendit që të angazhohen maksimalisht në adresimin e problemeve të akumuluara për një kohë të gjatë, veçanërisht atyre që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, klimën e të bërit biznes dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Stabiliteti institucional duhet të shoqërohet me vendimmarrje të shpejtë dhe konkrete për çështjet që presin zgjidhje, duke krijuar një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të favorshëm për investime, punësim dhe zhvillim ekonomik. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë do të vazhdojë të japë kontributin e saj në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, përfaqësimit të interesave të komunitetit të biznesit dhe ndërtimit të një klime më të favorshme për bizneset dhe investitorët”, tha kjo Dhomë.
Justina Shiroka-Pula është presidentja e re e vendit, e cila u zgjodh mbrëmë pas mesnate me 81 vota. /Klankosova.tv




