Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka uruar Justina Shiroka-Pulën për detyrën e Presidentes dhe ka kërkuar angazhim institucional për çështjen e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Deliu-Kodra, përmes një reagimi publik, tha se dëshiron të besojë se zhvillimet e fundit kanë hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie në vend, transmeton Klankosova.tv.
“Pas natës së mbrëmshme, dua të besoj se Kosova ka hapur një rrugë drejt më shumë bashkimi dhe përgjegjësie”, shkroi deputetja.
Duke iu referuar proceseve në Dhomat e Specializuara në Hagë, Deliu-Kodra theksoi se ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e tyre kanë bartur për vite një barrë të rëndë dhe se shteti duhet të jetë pranë tyre.
Sipas saj, miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zotimi i përbashkët në Kuvend duhet të shndërrohen në veprime konkrete nga Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria.
“Rreth UÇK-së dhe të vërtetës së luftës sonë çlirimtare duhet të jemi të gjithë bashkë”, theksoi ajo.
Deputetja ka shprehur gjithashtu mirënjohje për protestuesit dhe qytetarët në Kosovë e diasporë, të cilët, sipas saj, kanë mbajtur gjallë kërkesën për drejtësi dhe mbështetje shtetërore për çlirimtarët.
Ajo tha se prania e qytetarëve në sheshe, zëri dhe këmbëngulja e tyre kanë dëshmuar se kjo çështje i bashkon dhe se familjet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nuk janë vetëm.
“Tani na takon ta mbajmë fjalën. Për çlirimtarët, për familjet e tyre dhe për brezat që vijnë”.




