Shkruan: Blerim Shala
Mrekullitë janë ende të mundshme.
Në Kosovë së paku. Në politikën e saj.
Ai definicioni më i qëndrueshëm i mrekullisë njeh një ngjarje (si të tillë) e cila është e pamundur në teori.
Pra, çka nuk është e mundshme as në imagjinatë, vjen e bëhet realitet.
Kështu disi.
Pas gati dy vitesh rraskapitje politike dhe shoqërore, pas testimit të sistemit politik dhe shtetëror që njohu tri palë zgjedhje të përgjithshme, pas gjithë atyre llafeve të pafundme televizive, mbërritëm të gjithë së bashku në mesnatën e 6 dhe 7 tetorit, kur për fare pak kohë, Kuvendi i Kosovës, me një votë mbresëlënëse, votoi në leximin e dytë ndryshimet në Ligjin për dhomat e specializuara në Hagë, dhe për më shumë, zgjodhi Justina Shiroka-Pulën Presidente të Kosovës.
Kush do ta besonte që kjo do të ndodhë pas gjithë asaj rrëmuje të hënën në mbrëmje në sheshet e Prishtinës, pas krejt asaj ecjeje të zbrazët gjatë thuaja gjithë ditës së martë, pas përplasjeve të gjitha llojeve?
Mbase të gjithë ne ishim të bindur që këtë të mërkurë, me 7 tetor, do të zgjohemi në një Kosovë me Kuvend të shpërndarë, pa President, me një Qeveri në detyrë, dhe me zgjedhje të reja parlamentare të cilat do të duhej të mbaheshin kah gjysma e nëntorit.
Teksa në të vërtetë, po del që ishim fare të gabuar, apo që megjithatë, ky mëngjes (më në fund), na zuri me pushtet të konsoliduar qendror, me Kuvend, Qeveri dhe President.
Rendi është që tash e tutje, në këtë skenën politike kosovare e cila u shqua me çorodi të gjitha llojeve në dy vitet e fundit, të nisin të zhvillohen procese që shquajnë një normalitet politik, një stabilitet shoqëror, dhe mbi të gjitha, kthim të besimit të qytetarëve të Kosovës në shtetin e tyre, i cili ka pësuar një gërryerje serioze për shkaqe të njohura për të gjithë.
Realisht, në këto ditë, ishim një hap larg humnerës. As më pak dhe as më shumë.
Tani, u larguam disa hapa prej saj, por humnera është ende atypari. Të mos mashtrohemi.
S’ka dyshim që ai hapi i madh, gjithsesi kapital, ndodhi mbrëmë.
Ai e ka domethënien e kthimit në binarë. Por çka do të ndodhë tash e tutje, si do të ecin në të ardhmen e afërt proceset kryesore politike në Kosovë dhe rreth saj, në raportet e saj me Botën, kjo do të kuptohet në javët dhe muajt në vijim.
Diçka e paparë për vite me radhë ndodhi mbrëmë, duke u bërë bashkë politikanët dhe deputetët e pushtetit dhe të opozitës, një herë rreth mbrojtjes së luftës së UÇK-së, pastaj, rreth Presidentes së Kosovës.
Do të ishte iluzion të krijohet (menjëherë) bindja tek ne që tash e tutje do të forcohet ky bashkëpunim në mes të pushtetit dhe opozitës.
Megjithatë, një partneritet i këtillë politik është gjithsesi i domosdoshëm në çështjen e jetësimit të Ligjit të ri për dhomat e specializuara, në krijimin (mbase), e një Task Force të përbashkët e cila do të merret me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve politike dhe diplomatike për ta fituar betejën e madhe në Gjykatën e Apelit në Hagë, pastaj, në temat e interesit nacional të cilat fare lehtë mund të specifikohen, prej thuaja akëcilit politikan dhe qytetar të Kosovës.
Më në fund, kësaj politike të Kosovës dhe gjithë shoqërisë kosovare, i duhen më shumë se gjithçka dalja nga kjo epokë e polarizimit të skajshëm, e cila realisht, po na plandosë për toke të gjithëve.
Nuk na duhet gjë gjithë ky polarizim i rrezikshëm, gjithë ky mosdurim, gjithë ky mllef ndaj njeri-tjetrit.
Na duhet shërimi. I cili realisht, vështirë që mund të ndodhë.
Por kush e di. Tash na është kthyer besimi në mrekulli.




