Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka pasur kritika për Qeverinë, lidhur me realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se nga rreth një miliard euro të planifikuara për vitin 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror.

Në një postim në Facebook, Bajrami është thirrur në të dhënat e Ministrisë së Financave, sipas të cilave, në të njëjtën periudhë për subvencione dhe transfere janë shpenzuar 908 milionë euro, nga 1.3 miliardë euro të planifikuara./Klankosova.tv
Postimi i plotë:
Një miliard euro për investime kapitale në letër, por vetëm 192 milionë euro të realizuara nga niveli qendror deri më 1 shtator!
Nëse doni ta kuptoni pse edhe pas gati gjashtë vitesh qeverisje, kjo Qeveri nuk ka arritur t’i përfundojë projektet e mëdha kapitale, shikoni të dhënat e vetë Ministrisë së Financave.
Sipas këtyre të dhënave, nga rreth një miliard euro të planifikuara për investime kapitale në buxhetin e vitit 2026, deri më 1 shtator janë shpenzuar vetëm 192 milionë euro nga niveli qendror.
Ndërkohë, për subvencione dhe transfere janë shpenzuar plot 908 milionë euro, nga 1.3 miliardë të planifikuara.
Këto shifra flasin më shumë se çdo propagandë qeveritare!
Ku janë investimet që krijojnë zhvillim ekonomik, vende pune dhe mirëqenie afatgjatë?
Qytetarët kanë nevojë për rrugë, shkolla, çerdhe, spitale e infrastrukturë, jo vetëm për miliarda të shkruara në letër.
Për të qenë shtet social, duhet të kesh një ekonomi të zhvilluar që mund ta financojë atë.
Ka vite që kjo qeveri mbështetet në të hyrat që gjeneron sektori privat, ndërkohë që investimet publike mbeten shumë prapa, por pa investime publike, pa infrastrukturë dhe pa kushte për zhvillimin e bizneseve, rrezikojmë ta dobësojmë këtë sektor që krijon vende pune dhe e mbush buxhetin e shtetit.
Dhe pyetja është shumë e thjeshtë: Nëse sot nuk investojmë në zhvillim, nesër prej nga do t’i marrim paratë për t’i financuar politikat sociale?
Varfëria nuk luftohet vetëm duke shpërndarë para. Varfëria luftohet duke krijuar zhvillim, punësim dhe mundësi.
P.S. Komunat, edhe pse marrin vetëm rreth 20% të buxhetit të përgjithshëm, kanë realizuar 137 milionë euro investime kapitale deri më 1 shtator.




