Bajrami e ka cilësuar të dhimbshme situatën e punëtorëve teknikë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.
“E dhimbshme t’i shohësh punëtorët teknikë të shkollave në grevë për një të drejtë krejt elementare siç është paga minimale”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo ka kërkuar që Inspektorati Qendror i Punës të ndërmarrë masa ndaj kompanive që, sipas saj, nuk po e zbatojnë vendimin për pagën minimale.
“Inspektorati Qendror i Punës duhet menjëherë të marrë masa ndaj kompanive që nuk e zbatojnë vendimin për pagën minimale”, ka theksuar ajo.
Sipas Bajramit, nëse kompanitë nuk mund t’i përballojnë kostot shtesë që dalin nga vendimi i Qeverisë, ato duhet të kërkojnë zgjidhje përmes ndryshimit të kontratave me kontraktorët e tyre.
“Nëse kompanitë nuk i përballojnë kostot shtesë nga vendimi i Qeverisë, zgjidhjen duhet ta kërkojnë te kontraktori i tyre përmes ndryshimit të kontratave, POR problemet kontraktuale asnjëherë nuk duhet të zgjidhen në kurriz të punëtorëve dhe këtë situatë s’duhet ta lejoj Inspektorati”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka kritikuar gjithashtu ndarjen e mjeteve për pagën e 13-të në sektorin publik, duke e krahasuar me gjendjen e punëtorëve teknikë të shkollave.
“Qeveria ka ndarë rreth 130 milionë euro për pagën e 13-të, për sektorin publik, (përmes rishikimit të buxhetit) ndërkohë punëtorët që mbajnë të pastra shkollat e fëmijëve tanë nuk marrin as pagën minimale”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kërkuar që Qeveria të sigurojë zbatimin e vendimeve të saj, komunat të marrin përgjegjësi për kontratat, ndërsa kompanitë private të respektojnë të drejtat e punëtorëve.
“Paga minimale nuk është privilegj as opsion, është detyrim ligjor dhe duhet të zbatohet nga të gjithë”, ka përfunduar Bajrami.
Burimi: RTKLive




