Një rast i pazakontë është raportuar në Fushë Kosovë, ku një baba ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi djali i tij dyshohet se ia ka marrë veturën dhe një shumë të konsiderueshme parash, duke u larguar në drejtim të panjohur.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se më 16 tetor, rreth orës 19:00, në Stacionin Policor në Fushë Kosovë është paraqitur A.C., rreth 46-vjeçar, i cili ka denoncuar djalin e tij, Olti Curolli, rrreth 19-vjeçar, për vjedhjen e veturës.
Sipas deklarimit të babait, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit, kur djali dyshohet se kishte marrë nga oborri i shtëpisë familjare, në lagjen 28/29, veturën Opel Corsa, ngjyrë ari.
Por vetura nuk ishte e vetmja gjë që mungonte.
Babai ka deklaruar se djali kishte marrë edhe 2,100 euro, ndërsa më pas ishte larguar pa treguar se ku po shkonte.
Ajo që e ka bërë rastin edhe më shqetësues për familjen është fakti se i riu e kishte lënë telefonin në shtëpi, duke e bërë të pamundur kontaktimin e tij.
Sipas ankuesit, dokumentet e automjetit ndodheshin brenda veturës, ndërsa ai nuk kishte informacione për vendndodhjen e djalit.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës për veprën penale “Vjedhje”.
Rrethanat e largimit të të riut dhe vendndodhja e tij, e veturës dhe e parave të raportuara si të marra mbeten për t’u sqaruar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Ekskluzive | Babai denoncon djalin për vjedhjen e veturës në Fushë Kosovë – zhduket me Opel Corsa dhe 2,100 euro, telefonin e lë në shtëpi appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali




