Naser Aziri nga Unioni Demokratik Shqiptar deklaroi se unifikimi i subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës krijon mundësi për të siguruar dy deputetë në Parlamentin e Serbisë, në zgjedhjet e 25 tetorit.

Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Aziri ka deklaruar se rezultati do të varet nga dalja e votuesve dhe angazhimi i subjekteve politike shqiptare.
Ai tha se nuk përjashtohet mundësia që shqiptarët të synojnë edhe një mandat të tretë, por për këtë do të nevojitet angazhim më i madh.
“…Po, kish qenë natyrshëm, gjithsesi pas angazhimit që do ta bëjmë, me siguri dhe pas unifikimit që kemi, besoj se nuk do të jetë kafshatë shumë e madhe që të sigurohen dy deputetë. Ndërsa, për të tretin tash duhet një angazhim i madh, por duhet pasur parasysh se numri i votuesve do të jetë shumë më i lartë se herëve të tjera, për shkak se kemi edhe listën e studentëve që është e bashkuar dhe edhe ajo është një angazhim maksimal”, ka deklaruar Aziri në Klan Kosova.




