Një email me kërcënim për bombë ka mbërritur në disa institucione shtetërore në Shqipëri, përfshirë Kryeministrinë, ministri, institucione të drejtësisë dhe Bankën e Shqipërisë, raporton A2 CNN.
Në mesazhin kërcënues pretendohet se brenda një ndërtese është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO), ndërsa paralajmërohen edhe sulme të tjera terroriste në territorin e vendit.

“Ju njoftojmë urgjentisht se në këtë moment brenda ndërtesës është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni (ANFO). Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni sot është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”, thuhet në email.
Pas marrjes së mesazhit, është evakuuar Gjykata dhe Prokuroria e Fierit. Administrata është alarmuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë.
Deri më tani, në informacionin e raportuar nga A2 CNN nuk jepen detaje të tjera lidhur me verifikimin e kërcënimit apo identifikimin e personave përgjegjës.
Burimi: Dukagjini




