Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu deklaroi se Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca në Shqipëri kanë përgjegjësi që t’u japin vëmendjen e duhur kërkesave të protestuesve, përfshirë edhe shqetësimet e ngritura ndër vite.
Ajo u shpreh kundër dhunës, duke theksuar se ajo duhet të ndalet nga të dyja palët, si nga protestuesit, ashtu edhe nga Policia. Sipas saj, institucionet duhet të tregojnë qasje serioze dhe të shmangin arrogancën, e cila, siç tha, mund të nxisë më tej protestat.

Haxhiu bëri thirrje që situata të tejkalohet përmes maturisë dhe seriozitetit, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të ndasive në mënyrë të përgjegjshme.
Duke komentuar pretendimet për përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në protesta, ajo tha se partia nuk ka bërë thirrje për pjesëmarrje dhe se nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimin individual të qytetarëve nga Kosova për t’iu bashkuar protestave.
Ajo shtoi se pjesëmarrja e qytetarëve në këto protesta nuk mund t’i atribuohet automatikisht LVV-së për shkak të mbështetjes që kjo parti gëzon.
Burimi: RTKLive




