Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës kundër një personi me inicialet A.S., i cili dyshohet për sulmet ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se A.S. akuzohet për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, në bashkëkryerje me persona të tjerë, dyshohet se ka përdorur dhunë ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.
Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.
Në komunikatën e Prokurorisë Speciale thuhet gjithashtu se gjatë këtyre ngjarjeve janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga terreni.
AGK-ja ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të saj, gjatë një periudhe pesëjavore të tensioneve në veri të Kosovës, në maj dhe qershor të vitit 2023, janë regjistruar 35 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe sulme fizike.
Në reagimin e publikuar në Facebook, AGK-ja ka theksuar se do të angazhohet që sistemi i drejtësisë të mbajë përgjegjës të gjithë personat e përfshirë në këto sulme, të cilat penguan punën e mediave dhe gazetarëve gjatë asaj periudhe.
Asociacioni ka vlerësuar ngritjen e aktakuzës si një hap drejt vendosjes së përgjegjësisë për sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit.




