Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ndërmarrë masa ndaj disa bizneseve në lagjet Arbëri dhe Ulpianë, pasi gjatë inspektimeve në terren janë konstatuar lidhje ilegale me rrjetin e ujësjellësit.
Sipas njoftimit të kompanisë, bizneset ishin të kyçura në mënyrë të paligjshme, jashtë ujëmatësit, ndërsa ekipet e KRU “Prishtina” kanë bërë shkyçjen e tyre dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
“Këto raste janë evidentuar gjatë kontrolleve në terren dhe ndaj tyre janë ndërmarrë masat përkatëse”, ka bërë të ditur kompania.
KRU “Prishtina” u ka bërë thirrje të gjithë konsumatorëve që posedojnë lidhje të tilla ilegale të paraqesin kërkesë për legalizimin e tyre, në mënyrë që të shmangin shkyçjet dhe masat e tjera të parapara me legjislacionin në fuqi.
Nga kompania është bërë e ditur se inspektimet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve të rrjetit të ujësjellësit.
The post KRU “Prishtina” zbulon lidhje ilegale të ujit në Arbëri dhe Ulpianë appeared first on Gazeta Express.

