Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ka njoftuar për ecurinë e procesit zgjedhor dhe fillimin e aktiviteteve në qendrat komunale të numërimit.
Elezi bëri të ditur se pas përfundimit të votimit në 2,498 vendvotime të rregullta dhe procedurave të tjera zgjedhore, materialet janë tërhequr nga 949 qendra votimi dhe janë dërguar në 38 qendra komunale të numërimit.

“Pas përfundimit të procesit të votimit në 2498 vendvotime të rregullta është përmbyllur procesi i numërimit të votave të subjekteve politike dhe pas përfundimit të procedurave të tjera, materialet zgjedhore nga 949 qendra të votimit janë tërhequr dhe dërguar në 38 qendra komunale të numërimit”, deklaroi Elezi.
Ai theksoi se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i votave për subjektet politike bëhet në vendvotime, ndërsa numërimi i votave për kandidatët për deputetë zhvillohet në qendrat komunale të numërimit.

Sipas tij, në këto qendra do të bëhet edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, ndërsa procesi do të zhvillohet me transparencë të plotë dhe rezultatet do të publikohen progresivisht në platformën e rezultateve të KQZ-së.
“Ky proces i njëjtë do të bëhet në 38 qendra komunale të numërimit, në të cilat do të punohet në dy orare. Sipas vendimit të KQZ-së në këto qendra do të angazhohen më shumë se 2200 anëtarë në kuadër të 580 ekipeve të numërimit”, tha Elezi.
Ai njoftoi se paraditen e së hënës numërimi dhe verifikimi kanë nisur në 15 komuna, ndërsa gjatë pasdites aktivitetet do të fillojnë edhe në 23 komuna të tjera.

Duke folur për format e tjera të votimit, Elezi tha se KQZ-ja ka mundësuar votimin me kusht, votimin përmes ekipeve mobile për personat me nevoja të veçanta, si dhe votimin jashtë Kosovës në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës.
“Sipas të dhënave preliminare nga 52 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar 8751 votues të regjistruar për të votuar me kusht, kurse në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta kanë qenë të regjistruar 3144 votues”, deklaroi zëdhënësi i KQZ-së.


