Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, ka prezantuar të martën para një delegacioni të Bashkimit Evropian progresin e reformave në sistemin prokurorial të Kosovës, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së.
Siç bëhet e ditur në njoftimit zyrtar, delegacioni u udhëhoq nga Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore të Komisionit Evropian, Valentina Superti.
Gjatë takimit, Gashi u fokusua në rezultatet konkrete të reformave, përfshirë avancimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), forcimin e mekanizmave të llogaridhënies dhe monitorimit të performancës së prokurorive, si dhe përmirësimet në proceset e sekuestrimit, ngrirjes dhe konfiskimit të pasurisë së fituar nga veprat penale.
Ai theksoi se KPK mbetet e përkushtuar në vazhdimin e reformave që rrisin efikasitetin, transparencën dhe integritetin institucional, duke vlerësuar mbështetjen e Bashkimit Evropian si thelbësore për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

