Nga: Ian Williams / The Spectator (titulli: China’s AI is truly artifical – and the US must fight Xi’s zero-sum tech race and stolen advancements)
Përkthimi: Telegrafi.com
Pavarësisht entuziazmit rreth aftësive të inteligjencës artificiale [IA] të Kinës, ajo mbetet shumë e varur nga vjedhja dhe kontrabanda. Ndërkohë, Partia Komuniste Kineze [PKK] është e përcaktuar të mbajë kontrollin e rreptë. Kjo është bërë gjithnjë e më e qartë përpara samitit të kësaj jave në Pekin mes Donald Trumpit dhe Xi Jinpingut.
Udhëheqësi kinez dëshiron ta udhëheqë botën në atë që ai e quan “teknologji që përcakton epokën.” Ai duket i bindur se Trumpi, i përqendruar te lufta e tij kundër Iranit, ka mundësi të kufizuara për t’iu kundërvënë aktiviteteve gjithnjë e më agresive të Pekinit.
Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë akuzoi Pekinin për vjedhje “në shkallë industriale” të njohurive teknologjike nga laboratorët amerikanë të IA-së. Ndërkohë, prokurorët amerikanë pretendojnë se kanë zbuluar një rrjet ndërkombëtar kontrabande që dërgonte në Kinë çipa të avancuar – me vlerë miliarda dollarë – në kundërshtim me sanksionet.
PKK-ja po shton gjithashtu përpjekjet për të mbrojtur inovacionin e vet në IA, duke bllokuar një blerje prej dy miliardë dollarësh nga Meta të një startapi kinez të IA-së të quajtur Manus. Për më tepër, autoritetet i ndaluan dy themeluesit e Manus-it të largoheshin nga vendi.
Më lirë dhe më shpejtë
Akuzat për vjedhje i referohen një procesi të quajtur “distilim”, ku Kina akuzohet se po trajnon në mënyrë të paligjshme modelet e saj më të vogla të IA-së mbi rezultatet e modeleve më të mëdha amerikane (dhe të zhvilluara me kosto të lartë).
Një memorandum i brendshëm i rrjedhur në media, i shkruar nga Michael Kratsios, drejtor i Zyrës së Politikës për Shkencë dhe Teknologji në Shtëpinë e Bardhë, thoshte: “Qeveria amerikane ka informacion që tregon se entitete të huaja, kryesisht me bazë në Kinë, janë të përfshira në fushata të qëllimshme dhe në shkallë industriale për të distiluar sistemet më të avancuara amerikane të IA-së.”
Distilimi përfshin krijimin e mijëra llogarive të rreme për çetbotin ose mjetin e synuar të IA-së, ku këto llogari punojnë së bashku për të nxjerrë informacion.
Kompania amerikane e IA-së, Anthropic, tha se kishte zbuluar 24 mijë llogari mashtruese të cilat kishin gjeneruar më shumë se 16 milionë ndërveprime me çetbotin e saj të fuqishëm Claude. Ajo akuzoi laboratorët kryesorë kinezë se qëndronin pas kësaj fushate me qëllim të përvetësimit të kapaciteteve të avancuara “në një pjesëz të kohës dhe me një pjesëz të kostos.”
Kompania paralajmëroi gjithashtu se aplikacionet e “distiluara” nuk do të kishin asnjë nga masat mbrojtëse të origjinalit – kundër përdorimit të IA-së për aktivitete të tilla si zhvillimi i armëve biologjike ose kryerja e sulmeve shkatërruese kibernetike – duke “krijuar rreziqe të konsiderueshme për sigurinë kombëtare.”
Pekini duket se gjithashtu ka ngritur një rrjet të gjerë dhe shumë të financuar kontrabande për të anashkaluar kufizimet amerikane mbi shitjen e çipave të nivelit më të lartë, Nvidia, të përdorur për trajnimin e modeleve të IA-së.
Në një seri aktakuzash kundër shtetasve kinezë, prokurorët federalë përshkruajnë se si serverët që përmbanin çipa të kufizuar me vlerë “miliarda dollarë”, u dërguan te kompanitë fasadë në Azinë Juglindore, përpara se të ripaketoheshin dhe të devijoheshin drejt Hong-Kongut dhe Kinës.
Një video nga kamerat e mbikëqyrjes tregonte një të pandehur duke përdorur tharëse flokësh për të ndërruar etiketat ngjitëse dhe numrat serikë. Ishte një pamje çuditërisht primitive krahasuar me kontrabandën e teknologjisë së lartë dhe me pasoja të mëdha në të cilën ai ishte përfshirë – duke lehtësuar atë që Xi e kishte cilësuar si “një garë drejt majës”.
“Spastrimi përmes Singaporit”
Aktakuzat u cilësuan si maja e ajsbergut të kontrabandës së çipave, ndërsa lufta për supremaci në IA shihet jo vetëm si çështje e konkurrencës ekonomike, por si betejë që do të përcaktojë balancën e ardhshme të pushtetit global.
Xi jo vetëm që është i vendosur që Kina ta fitojë atë garë, por edhe që IA-ja të mbetet fort nën kontrollin e PKK-së – siç e ka kuptuar tashmë me koston e vet Mark Zuckerbergu.
Shefi i Meta-s mendonte se blerja e Manus-it ishte marrëveshje e përfunduar dhe punonjësit e Manus-it tashmë ishin transferuar në zyrën e Meta-s në Singapor. Startapi kinez është një “agjent” i IA-së, që do të thotë se në vend që të krijojë një çetbot për t’iu përgjigjur pyetjeve, ai kryen detyra të mbështetura nga IA-ja – duke vepruar si një lloj asistenti autonom personal për funksione që shkojnë nga lansimet e produkteve e deri tek analizat e tregut të aksioneve dhe planet e udhëtimit.
Autoritetet kineze nuk thanë se cilat ligje ose rregullore shkel marrëveshja, por duket se ajo është menduar si paralajmërim për startapet ambicioze kineze të IA-së kundër nxjerrjes së teknologjisë së tyre jashtë Kinës.
“Pekini në mënyrë efektive vendosi një vijë të kuqe të qartë se talenti dhe teknologjia kineze e IA-së nuk janë në shitje për kompanitë amerikane, pikë,” tha për Reuters-in Han Shen Lin, drejtor për Kinën në firmën amerikane konsulente Asia Group me bazë në Shangai.
Duke fundosur marrëveshjen, PKK-ja i dha fund praktikës së ashtuquajtur “spastrim përmes Singaporit”.
Manus-i ishte një nga një varg kompanish kineze të teknologjisë (ku përfshihen edhe Shein dhe TikTok) që zhvendosën selitë e tyre në qytet-shtetin e Singaporit, pjesërisht në përpjekje për t’u dukur më pak kineze.
Të gjitha kompanitë kineze janë të detyruara me ligj të ndihmojnë agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë së Pekinit dhe janë përpjekur t’i bindin klientët dhe investitorët se, duke u bazuar në Singapor, nuk janë më të varura nga PKK-ja. Kjo ka qenë gjithmonë një iluzion, por partia ka treguar se asnjë kompani me origjinë kineze nuk mund t’u shpëtojë rrënjëve dhe detyrimeve.
Javën e kaluar, në një dëgjim të organizuar nga Komisioni ShBA-Kinë për Rishikimin Ekonomik dhe të Sigurisë, i cili monitoron dhe raporton para Kongresit për çështjet e sigurisë kombëtare, u paralajmërua se Kina po mbledh të dhëna amerikane për të ndërtuar “arkitekturë inteligjence dhe shënjestrimi të fuqizuar nga IA-ja – për konkurrencë ekonomike, shtrëngim politik dhe avantazh në kohë lufte”.
Doni “i butë”
Megjithatë, ndërsa në Kongres ekziston mbështetje e fortë dypartiake për kontrolle agresive të eksporteve teknologjike, Trumpi po tingëllon shumë më i butë.
Në samitin e kësaj jave, i shtyrë nga marsi për shkak të luftës me Iranin, Xi do të llogarisë se Trumpi ka mundësi të kufizuara dhe pak dëshirë për rikthim të armiqësive tregtare që mund të shkaktonin trazira të mëtejshme ekonomike globale.
Vitin e kaluar, Trumpi uli tarifat dhe hoqi dorë nga kufizimet e tjera ndaj kompanive kineze, pasi Pekini përdori mineralet e rralla si armë presioni. Ata kërcënuan të kufizonin qasjen në këto minerale kritike të cilat janë thelbësore për industritë globale të teknologjisë së lartë dhe mbi të cilat Kina ka pothuajse monopol.
Edhe pse provat për vjedhje dhe kontrabandë të lidhura me IA-në janë shtuar, Trumpi ka dërguar mesazhe të përziera. Ai lehtësoi kontrollet për disa çipat Nvidia dhe, pavarësisht shqetësimeve të sigurisë për automjetet elektrike kineze, ka sugjeruar se është i hapur ndaj prodhuesve kinezë të makinave që të ndërtojnë automjete në ShBA.
Përveç kësaj, fjalët e tij të ashpra ndaj aleatëve të hershëm bien në kontrast të fortë me qasjen më miqësore ndaj Xisë. Ai minimizoi raportimet se Pekini mund të jetë duke i ofruar mbështetje materiale Iranit, duke shkruar në Truth Social: “Ata kanë rënë dakord të mos dërgojnë armë në Iran. Presidenti Xi do të më japë një përqafim të madh e të ngrohtë kur të mbërrij atje … Po punojmë së bashku me zgjuarsi dhe shumë mirë! A nuk është kjo më mirë se të luftosh.”
Deri në fund të vitit të kaluar, rreth një e treta e modeleve të IA-së të shkarkuara në mbarë botën ishin kineze. Xi po përfiton gjithashtu nga një valë e asaj që është quajtur “kinezim” [Chinamaxxing]. Në thelb, kjo është një magjepsje onlajn me teknologjinë kineze, e nxitur kryesisht prej influencerëve perëndimorë të cilët janë afruar nga PKK-ja.
Temat mbi aftësinë novatore të Kinës dhe supozim të pranimit më të madh shoqëror të IA-së promovohen gjerësisht edhe nga analistët më naivë perëndimorë.
Realiteti është më me nuanca – dhe jo vetëm për shkak të varësisë së vazhdueshme të Pekinit nga vjedhja në shkallë të gjerë.
Merrni si shembull DeepSeek-un, kompaninë kineze që tronditi botën vitin e kaluar me modele të IA-së që performonin pothuajse po aq mirë sa ato më të mirat perëndimore, por me një pjesë të kostos. Javën e kaluar, publikimi i saj më i fundit u prit me indiferencë kolektive. Jo vetëm që ky version ishte më i shtrenjtë për t’u ndërtuar, por thuhet se iu nënshtrua shumë më tepër ndërhyrjeve nga PKK-ja.
Ai u vonua për shkak të presionit të PKK-së që të trajnohej me çipa kinezë, por më pas iu rikthye çipave Nvidia kur ata të prodhuar nga Huawei rezultuan të pamjaftueshëm.
Roboti misterioz
Robotët humanoidë janë një tjetër teknologji shumë e promovuar – duke performuar kung-fu gjatë festimeve të Vitit të Ri Kinez dhe duke garuar në maratonën e fundit në Pekin. Ata sigurisht kishin vlerë argëtuese, por ekspertët janë skeptikë për zbatimet e tyre në botën reale.
Ata janë gjithashtu rezultat i një programi të udhëhequr nga shteti, jashtëzakonisht shpërdorues – diçka si metaforë për inovacionin kinez në përgjithësi.
Siguria dhe kontrolli janë përparësi dominuese për Xinë. Ndërsa ai ka aktivizuar spiunët e tij për të përvetësuar njohuritë teknologjike dhe çipat, algoritmet e zhvilluara në Kinë duhet të këndojnë sipas melodisë së partisë. PKK-ja gjithashtu ka filluar të shqetësohet për sigurinë, mbrojtjen kibernetike dhe ndikimin e mundshëm negativ në punësim.
Ngrirja e papritur dhe e fundit e 200 robotaksive, që bllokuan rrugët e Vuhanit, shërbeu si një kambanë alarmi. Ndërkohë, një raport i fundit nga një institut shtetëror kërkimor, që sugjeronte se punëtorët kinezë po shqetësohen gjithnjë e më shumë për ndikimin në vendet e tyre të punës, dha një tjetër sinjal alarmi.
“Duhet të veprojmë herët dhe me vendosmëri: duke parashikuar dhe parandaluar problemet me maturi dhe kujdes,” sipas Xisë.
Të rinjtë tashmë po hasin vështirësi për të gjetur punë – me papunësinë rinore që qëndron rreth 17 përqind, sipas shifrave zyrtare.
PKK-ja shqetësohet për një epidemi të tangpingut (“të qëndruarit shtrirë”), ku të rinjtë braktisin tregun e punës me presion të lartë dhe pa shpërblim, për të zgjedhur një jetesë më të thjeshtë.
Muajin e kaluar, agjencia kryesore kineze e spiunazhit, Ministria e Sigurisë së Shtetit, deklaroi se tangpingu ishte një komplot i huaj i projektuar për të minuar rininë dhe shoqërinë kineze. Teksa gara për IA-në mund të jetë duke u nxehur, instinktet bazë të PKK-së mbeten të njohura. /Telegrafi/


