Mbi 3 milion e 500 mijë euro borxh ndaj operatorëve dhe të dënuarve pa bazë ka aktualisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Kjo dhe arsye të tjera, kanë bërë që gjendja financiare e këtij institucioni të mos jetë e mirë. Kërkesat drejtuar qeverisë për rritjen e buxhetit kanë hasur në vesh të shurdhër e për këtë, Këshilli është duke e shqyrtuar mundësinë e ankesës në Gjykatën Kushtetuese.
“Me transferimin e kompetencave nga Ministria e Administratës Publike për menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë, edhe pse në marrëveshje është paraparë që buxheti të transferohet në Këshillin Gjyqësor, nuk është aprovuar dhe nuk është transferuar asnjëherë. Si rezultat i krejt këtyre mungesave, përfshirë edhe mungesa në subvencione që janë të dënuarit pa bazë”, ka thënë sekretari i KGJK-së, Shkëlzen Maliqi.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, tha se që nga themelimi i Këshillit si institucion i pavarur, nuk ka pasur më herët një situatë të tillë sa i përket mungesës së buxhetit.
“Mungesa e theksuar e buxhetit në fakt Këshillin Gjyqësor e bën të pa potencial. Dhe një Këshill për të realizuar funksionin e tij ligjor dhe kushtetues, dhe një Këshill pa fuqi potenciale, të theksuar në mungesat e buxhetit në gjendjen çfarë jemi, duhet thënë krejt hapur cënon pavarësinë e gjyqësorit në veçanti”, ka thënë Thaqi.
Në këtë mbledhje të Këshillit Gjyqësor është zgjedhur Kreshnik Kaçiu kryetar i Gjykatës Administrative, si dhe kanë raportuar disa nga kryetarët e Gjykatave në Kosovë, për punën që është bërë gjatë periudhës prill-qershor 2026.

