Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka rrëfyer detaje nga njohja dhe bashkëpunimi i tij me veprimtarin Jusuf Gërvalla, gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “Debat Plus” në kuadër të ciklit “Dosjet”.
Kelmendi tregoi se ishte njoftuar për ardhjen e Jusuf Gërvallës në Gjermani nga Bardhoshi, i cili e kishte telefonuar për t’i treguar se Gërvalla kishte arritur të arratisej dhe dëshironte të takohej me të, njofton Dukagjini.
Sipas Kelmendit, takimi i parë mes tyre u zhvillua në Ludwigsburg, në zyrën e punës ku punonte Bardhoshi.
“Sapo Jusufi ka ardhur në Gjermani, Bardhoshi më ka telefonuar. Mbaj mend se gjermanët po përgatiteshin për Krishtlindje kur Bardhoshi më informoi që Jusufi ia kishte dalë të arratisej dhe se dëshironte të njiheshim. Shkova në Ludwigsburg dhe u takuam në zyrë të punës të Bardhoshit, i cili ishte i punësuar në OJQ-në gjermane AWO (ka mbi 200 mijë të punësuar), si këshilltarë për Gastarbeiterët jugosllavë. Besimi reciprok ishte qysh në takim të parë, meqë në mes kishim Bardhoshin, me të cilin isha njohur e shoqëruar në verë 1977, kur isha për punë në Plochingen, gjatë pushimit semestral, në mermer-përpunuese ku ishte kryepunëtor dhëndëri im, Ramush Kastrati, nga Dobordoli i Pejës”, thotë Kelmendi.
I pyetur se deri në çfarë niveli kishte arritur bashkëpunimi me Gërvallën, Kelmendi tha se ata kishin bashkëpunuar dhe bashkëvepruar “sikur të ishim në një organizatë”, që nga takimi i parë deri në ditët e fundit para vrasjes së Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Ai përmendi si shembull të bashkëpunimit faktin se Gërvalla, ndonëse pjesë e LNÇKVSHJ-së, kishte përgatitur organin e FKP-së, “Bashkimin”, si dhe kishte bërë korrigjime në Programin dhe Statutin e kësaj organizate.
Sipas Kelmendit, ata kishin organizuar edhe tubime të përbashkëta informuese me bashkatdhetarë.
Kelmendi tha se ky bashkëpunim kulmoi me bashkimin politik të realizuar në agimin e 17 janarit 1982, të cilin ai e përshkroi si një ngjarje historike, por që, sipas tij, u ndërpre tragjikisht me vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës.
Ai tregoi gjithashtu se kishte vendosur të mos e bënte menjëherë publik bashkimin e arritur, pasi, sipas tij, Gërvalla dhe Zeka po përgatitnin njoftimin zyrtar për këtë bashkim.
“Kemi bashkëpunua e bashkëveprua si të ishim në një organizatë, nga takimi parë, deri te i fundit, më 16 e 17 janar 1982. Ishte diç e pandodhur deri atëherë, që Jusufi i LNÇKVSHJ-së ta përgatiste organin e FKP-së, “Bashkimin”, t’i bënte korrekturë edhe Programit e Statutit të FKP-së dhe të organizonim tubime të përbashkët informuese me bashkatdhetarë. Ajo bashkëveprimtari u përmbyll me bashkim në Lëvizje për Republikë të Kosovës, i realizuar në agimin e 17 janarit 1982, fatkeqësisht i vrarë edhe ai bashkim, bashkë me dy krye-protagonistët e tij: Jusufi e Kadriu. ?Unë gjykova të mos e bëja publike bashkimin që e kishim arritur, sepse m’u duk më racionale të prisja deri sa institucioni që kishte bastis arkivin e Jusufit nga dhoma e tij e punës, bashkë me shkresat e fundit mbi tavolinë, meqë Kadriu u ndalë te Jusufi të përgatisnin me shkrim njoftimin publik për bashkimin e arritur”, thotë ai.

