Rreth gjysmë ton metamfetaminë kristalore është sekuestruar në portin e Kolombos, në Sri Lanka, gjatë një operacioni të përbashkët të autoriteteve amerikane dhe atyre vendase kundër një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Sipas policisë së Sri Lankës, rreth 463 kilogramë metamfetaminë u zbuluan në një kontejner që kishte mbërritur në Kolombo nga Pakistani. Droga ishte fshehur brenda peshqirëve të banjës, me qëllim që të mos zbulohej gjatë kontrolleve.
Vlera e sasisë së sekuestruar llogaritet në rreth 21 milionë dollarë, ose rreth 18 milionë euro, sipas Ambasadës së SHBA-së në Kolombo.
Në lidhje me rastin, dy shtetas pakistanezë u arrestuan, ndërsa autoritetet arrestuan edhe një shtetas të Sri Lankës.
Operacioni u zhvillua nga Administrata Amerikane për Luftën Kundër Drogës (DEA), në bashkëpunim me Byronë për Luftën Kundër Narkotikëve të Policisë së Sri Lankës.
Autoritetet kishin vënë nën vëzhgim kontejnerët që vinin nga Pakistani gjatë periudhës 14-29 gusht, përpara se të ndërhynin. Ambasada amerikane bëri të ditur se sasia e drogës ishte destinuar për t’u trafikuar në mënyrë të paligjshme në tregjet ndërkombëtare përmes Sri Lankës.
Pala amerikane e cilësoi operacionin si një shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër organizatave kriminale ndërkombëtare.
Sipas Ambasadës së SHBA-së, bashkëpunimi synon shkatërrimin e organizatave të përfshira në trafikun e drogës, të cilat lidhen edhe me financimin e aktiviteteve terroriste dhe përbëjnë kërcënim për komunitetet në të dyja vendet.
Zëvendësinspektori i Përgjithshëm i Policisë së Sri Lankës, Ashoka Dharmasena, deklaroi se operacioni u zhvillua pas marrjes së një informacioni.
Sekuestrimi i fundit i një sasie të madhe droge është pjesë e fushatës së gjerë të autoriteteve të Sri Lankës kundër trafikut të narkotikëve.
Sipas Dharmasenës, që prej tetorit të vitit të kaluar autoritetet kanë sekuestruar gjithsej rreth 14 tonë lëndë narkotike të paligjshme, përfshirë metamfetaminë, heroinë dhe kokainë.
Ministri i Sigurisë Publike i vendit, Ananda Wijepala, ka deklaruar në parlament se një pjesë e konsiderueshme e drogës së paligjshme që mbërrin në Sri Lanka vjen nga Afganistani dhe Pakistani dhe transportohet drejt ishullit përmes rrugëve detare.
Autoritetet vlerësojnë gjithashtu se rreth 400 mijë persona përdorin drogë në Sri Lanka, një vend me rreth 22 milionë banorë. /Panorama
The post Ishte fshehur në peshqirë, kapen 463 kg metamfetaminë në Sri Lanka appeared first on Gazeta Express.

