Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka qëllim krijimin e institucioneve të reja.
Pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, Hamza tha se situatë është shumë serioze, duke shtuar
se Kurti nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Ai tha se nuk pse të ketë ftesë nga Kurti, duke iu referuar negociatave për formimin e institucioneve të reja .
“Jo, s’kam pranuar ftesë, edhe për çka ftesë? Për çka me folë? Ne kemi bërë qëndrimin tonë të qartë, domethënë nuk ka qëndrim serioz, nuk ka qëndrim edhe nuk ka qëllim me i dhënë vendit institucione. Nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk jep emër, nuk e respekton Kushtetutën. Është situatë më shumë se serioze, nuk respektohet Kushtetuta e vendit, suspendohet akti më i lartë juridik, nuk respektohet demokracia. Futet vendi në një terren të panjohur në të kaluarën”, tha Hamza.
Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës është duke e e diskutuar situatën dhe duke i marrë veprimet e nevojshme.
“Veprimet do të jenë edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe demokratike në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë në Republikën e Kosovës. Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, kjo s’është dashur me ndodhë as tash. Asnjë arsye nuk ka, asnjë pengesë nuk e ka që me bërë propozimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, mirëpo këto janë puro kalkulime të tij politike në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të demokracisë, në mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Hamza.
I pyetur se a do marrin pjesë nëse caktohet vazhdimi i seancës konstituive ditëve vijuese, Hamza tha se veprojnë sipas interesave të vendit, duke theksuar gjuajtjen me vezë si mbrojtje të Republikës së Kosovës.
“Ne jemi deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne veprojmë në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës. Interesante është që këta kur gjuajnë me vezë, kur e gjuajnë me gurë, kur bëjnë ngjarje, janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën kohë kur këta i gjuan dikush me vezë, prapë janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Andaj, kjo është një situatë shumë serioze, jemi duke e trajtuar me seriozitetin më të madh. Ne jemi shumë të kujdesshëm, normalisht edhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit kushtetues dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, tha Hamza.

