Një pjesë e drunjve që u rrëzuan gjatë motit të fortë të fundit në Shkup nuk do të përfundojnë si mbeturina, por do të përdoren për ndërtimin e një parku të ri motorik në Vodno, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Ai theksoi se, përveç sanimit të pasojave të motit të keq, qëllimi është që nga dëmet të krijohet vlerë e re për qytetarët. Trungjet e shëndosha nga drunjtë e rrëzuar do të shndërrohen në pajisje natyrore për parkun motorik, i cili do të mundësojë zhvillimin e ekuilibrit, koordinimit, shkathtësisë, saktësisë dhe përgatitjes fizike.
Hapësira e re do të jetë e dedikuar për fëmijë, të rinj dhe të rritur, si vend për rekreacion, aktivitet fizik dhe shoqërim në natyrë.
Gjorgjievski informoi se në vendet ku kanë rënë drunjtë tashmë po mbillen fidanë të rinj, ndërsa në gjysmën e dytë të shtatorit do të nisë edhe një aksion i madh vjeshtor për pyllëzimin e qytetit.
Ai kujtoi se më herët kanë filluar aktivitetet për rregullimin e shtigjeve dhe për rinovimin e pajisjeve urbane në Vodno, ndërsa tashmë funksionon edhe Shërbimi i Shpëtimit Malor në Vodno dhe Matkë, i cili është i gatshëm për ndërhyrje në kushte malore.
“Vodno është zemra dhe mushkëritë e gjelbra të Shkupit. E ruajmë, e rindërtojmë dhe e përmirësojmë me përgjegjësi, me përmbajtje që do t’u shërbejnë të gjitha gjeneratave”, porositi Gjorgjievski.

