Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i është përgjigjur me ironi deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas takimit të tij me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti, pas takimit me LDK-në, kishte deklaruar se Gjini ishte “vetëpërjashtuar” nga takimet politike, ndërsa gjatë deklarimit të tij kishte përdorur disa herë emërtimin e vjetër të partisë.
Gjini tha se deklarimi i Kurtit tregon, sipas tij, mungesë vëmendjeje ndaj partive politike në vend.
“Po du me besu që është i pavëmendshëm edhe nuk e ka kuptu. Po du me u tallë pak. Më mirë ia din emrin atij gjermanit që i ka thënë atij e këtij, se sa partive në Kosovë”, deklaroi Gjini.
Ai kritikoi Kurtin për qasjen ndaj zhvillimeve politike, duke thënë se Kosova ka nevojë për vendime konkrete dhe jo vetëm për deklarime politike.
“Ka qenë dashtë sjellje prej burrështetasi, nëse ky del në konferencë. Edhe sot po mendoj që bujqve që e punojnë tokën duhet me iu heq tatimin në pronë, po mendoj që bizneseve familjare duhet me ua ngrit pragun e TVSH-së, po besoj që Kosova nuk guxon me dënu veten me mbet në terr e me ble energji prej Serbisë, po besoj që duhet me e përmbyllë infrastrukturën që e kemi nisë, po kemi me bë zgjidhje për Prishtinën”, tha ai.
Gjini, i cili është kryetar i Komunës së Gjakovës, ka akuzuar Qeverinë për, siç pretendon ai, mungesë të bashkëpunimit me pushtetin lokal dhe për mosrealizim të projekteve kapitale në këtë komunë.
“Prej vitit 2020, Albin Kurti është kryeministër, përjashto gjashtë muaj, asnjëherë nuk ka kërku takim me mu në komunë. Është një ndër komunat kryesore të Kosovës që ka mbërri për pak vjet me i trefishu të hyrat. Një komunë që për një kohë ka dalë gjysma e eksportit të Kosovës. Për shtatë vite s’ka kërku takim, e s’ka nisë asnjë projekt domethënës”, deklaroi Gjini.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe deklarimeve të ministrit në detyrë të Infrastrukturës, Dimal Basha, lidhur me investimet në Gjakovë.
“Tash e çon Dimal Bashën, po s’është e vërtetë, shkon te rruga ‘Bujar Roka’ ku i kanë ndalë fondet për tre vite. Për shtatë vite s’ka mbërri me nisë asnjë projekt të vetëm, as nuk ka kërku me u taku me mu”, tha Gjini.
Në fund, kryetari i AAK-së ka folur edhe për përvojën e tij në institucione, duke thënë se ka mbajtur poste në nivele të ndryshme të pushtetit.
“Pse jam kryetar komune mburrem. Unë kam qenë edhe asamblist, kam qenë drejtor komunal, nënkryetar komune, jam kryetar, kam qenë deputet, kam qenë ministër, i kam këshillu tre kryeministra. Çka do që ka qenë detyrë politike e kam bë, këto detyra mua më kanë pasuru. Ndihem i përmbushur se kam kaluar çdo hallkë të pushtetit”, përfundoi Gjini në “Rubikon”.

