Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla po shpreson që Lidhja Demokratike e Kosovës të kontribuoj në zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Gërvalla këto deklarata i bëri pas diplomimit të 100 kadetëve në Akademinë e Shërbimit Korrektues të Kosovës, ku tha se partitë politike tani e kanë rastin të tregojnë seriozitet dhe të kenë sukses një zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“Unë po shpresoj që LDK-ja do të kontribuon në zgjedhjen e një presidenti konsensual i cili ka qenë edhe kërkesa jonë e përbashkët që në bisedimet që i kemi bërë në fillim të këtij viti, mirëpo nuk kemi pasur sukses. Tani e kemi rastin që të tregojmë seriozitet dhe të kemi sukses. Unë nuk thashë që ishte i pritshëm refuzimi. E kam marrë informacionin dje, ashtu siç e keni marrë të gjithë ju. E kam lexuar me kujdes, e kam dëgjuar reagimin disa herë sepse doja t’i kuptoja edhe fjalët mes rreshtave dhe po dua të besoj, sepse jam njeri optimist nga natyra, po dua të besoj që kemi një bazë të mirë, nuk kemi arsye ta bllokojmë zhvillimin e shtetit tonë, përkundrazi kemi shumë arsye për të ecur përpara dhe demokracia këtë e ka, katër vjet dikush është në pushtet, dikush është në opozitë”, tha Gërvalla, raporton KosovaPress.
Tutje, Gërvalla u shpreh se VV-ja bashkë me partnerët e saj të koalicionit po do të bëjë marrëveshje para se t’i bëjnë hapat, pasi sipas saj, kur po i bëjnë hapat pa marrëveshje paraprake, opozita po thotë se ‘ju tash i keni kryer, çka po doni prej nesh’.
Ajo tha se është e domosdoshme që partitë politike të merren vesh mes vete dhe ta gjejnë një zgjidhje për një president konsensual, gjë për të cilën tha se është optimiste.
“Qytetarët në mënyrë të përsëritur e kanë shprehur vullnetin e tyre, dhe prandaj është e domosdoshme që të merremi vesh dhe të gjejmë një zgjidhje për një president konsensual dhe me presidentin konsensual të ecim përpara. Jam shumë optimiste që zgjidhjen do ta gjejmë, e kuptoj që ka zhurmë, e kuptoj që ka të atillë që nuk e duan zgjidhjen por që nuk e dinë se çka duan, por jam shumë e bindur se do të kemi një sukses dhe një zhvillim të mirë i cili do të na mundësojë të punojmë më tej dhe t’i çojmë më tej reformat për të cilat jemi zotuar”, tha Gërvalla. /Kp/Telegrafi/

