Për herë të parë në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina”, por edhe në vendin tonë, brenda një dite u kryen me sukses dy operacione gjinekologjike me asistencë robotike. Me ndërhyrjet e kryera me sukses, “Acibadem Sistina”, si qendra e vetme e kirurgjisë robotike në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, vazhdon të zgjerojë aplikimin e kirurgjisë me asistencë robotike në fusha të ndryshme kirurgjikale, duke hapur mundësi të reja për trajtim kirurgjikal bashkëkohor dhe preciz.
Ekipi gjinekologjik u drejtua nga Dr. Boban Sardzhovski, specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës, me mbështetjen e plotë të Dr. Josif Gjoreski, specialist i gjinekologjisë dhe obstetrikës, anesteziologes Dr. Emilija Mirçevska, si dhe të infermierëve, teknikëve dhe personelit ndihmës spitalor.

“Bëhet fjalë për dy paciente, të moshës 40 dhe 30 vjeç, tek të cilat u kryen operacione komplekse gjinekologjike. Tek të dyja pacientet u realizuan histerektomi laparoskopike me asistencë robotike, për shkak të indikacioneve të ndryshme mjekësore. Pacientja e parë, 40 vjeç, për shkak të një miome të madhe intramurale të mitrës, e cila shkaktonte gjakderdhje të theksuar menstruale dhe anemi, iu nënshtrua histerektomisë laparoskopike me asistencë robotike me salpingektomi bilaterale, përkatësisht heqjes së mitrës dhe të dy tubave fallopiane, duke ruajtur vezoret dhe funksionin e tyre hormonal. Tek pacientja e dytë, 30 vjeç, tek e cila më herët ishte diagnostikuar një patologji malinje e vezores, u krye histerektomi laparoskopike me asistencë robotike, e shoqëruar me adneksektomi të majtë, përkatësisht me heqjen e mitrës, vezores së majtë dhe tubit fallopian. Gjithashtu, u krye edhe limfadenektomi pelvike bilaterale, me heqjen e nyjeve limfatike nga rajoni i legenit, me qëllim përcaktimin e stadit të sëmundjes dhe planifikimin e trajtimit të mëtejshëm onkologjik”, shpjegon Dr. Sardzhovski.

Pacientet janë në gjendje të mirë të përgjithshme shëndetësore. Të dyja operacionet përfunduan me sukses, me humbje minimale të gjakut, ndërsa pacientet u mobilizuan që në ditën e parë pas ndërhyrjeve. Falë qasjes minimalisht invazive dhe rikuperimit të shpejtë postoperativ, pritet që të dyja pacientet të dalin nga spitali dhe të kthehen në shtëpitë e tyre që të nesërmen.
“Në qendër të çdo operacioni me asistencë robotike është kirurgu, i cili e kontrollon robotin nga konsola kirurgjikale, duke shfrytëzuar përparësitë e teknologjisë së avancuar, siç janë: vizualizimi tredimensional me zmadhim deri në 10 herë, preciziteti më i lartë dhe liria më e madhe e lëvizjes, të cilat mundësojnë kryerjen e ndërhyrjeve komplekse edhe në zonat anatomike që janë të vështira për t’u qasur. Megjithatë, pas çdo operacioni të suksesshëm qëndron një ekip kirurgjikal me përvojë dhe i mirëkoordinuar, ndërsa vlera e vërtetë e teknologjisë robotike shfaqet përmes njohurive, përvojës dhe punës së përbashkët të të gjithë anëtarëve të ekipit”, thotë Dr. Sardzhovski.
Implementimi i sistemit robotik në Spitalin Klinik “Acibadem Sistina” nuk përfaqëson vetëm një përparim teknologjik, por shënon edhe një kapitull të ri në praktikën bashkëkohore kirurgjikale.

