Princesha Astrid e Norvegjisë, motra më e madhe e mbretit të ndjerë Harald, vdiq të premten në moshën 94-vjeçare, njoftoi Pallati Mbretëror në një deklaratë.
Vëllai i Astridit, Harald, vdiq muajin e kaluar në moshën 89-vjeçare, pas më shumë se 35 vitesh në fron, ndërsa princesha u shfaq për herë të fundit në publik të mërkurën, në funeralin e tij, raporton SkyNews.
“Gjatë gjithë jetës së saj të gjatë, Princesha Astrid e përfaqësoi shtëpinë mbretërore në një mënyrë të ngrohtë dhe të përkushtuar”, tha në deklaratë mbreti Haakon VIII.
Ende nuk janë bërë të ditura detaje se kur do të mbahet funerali i saj.
Funerali i Haraldit, i cili shënoi përfundimin e 13 ditëve të zisë kombëtare pas vdekjes së tij, u mbajt të mërkurën.
E veja e tij, Mbretëresha Sonja, 89 vjeçe, si dhe djali dhe pasardhësi i tij, Mbreti Haakon VIII, dhe bashkëshortja e tij, Mbretëresha Mette-Marit, morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Katedralen e Oslos, së bashku me anëtarë të tjerë të familjes mbretërore norvegjeze.
Ceremonia u parapri nga një minutë heshtje në mbarë vendin dhe në të morën pjesë mbretërorë nga e gjithë bota, përfshirë Princin e Uellsit, i cili përfaqësonte Mbretin.
Dhjetëra mijëra njerëz, përfshirë nxënës të shkollave të cilëve iu lejua të mungonin në mësim, u rreshtuan përgjatë bulevardit Karl Johan në kryeqytet, ndërsa kortezhi, i cili nisi me një përshëndetje prej 21 të shtënash, u nis nga pallati mbretëror. Kështu njoftoi policia norvegjeze.
Turma ra në heshtje të plotë teksa arkivoli kalonte.
Sipas policisë, operacioni i sigurisë për funeralin ishte operacioni më i madh i planifikuar ndonjëherë në historinë e vendit.
Haraldi, një reformator që qëndroi për më shumë se tri dekada në fron, pasi gradualisht doli nga hija e babait të tij popullor dhe karizmatik, vdiq në një kohë kur familja mbretërore norvegjeze po përballej me kriza të shumta.
The post Dy ditë pas funeralit të mbretit të Harald të Norvegjisë, vdes edhe motra e tij princesha Astrid appeared first on Gazeta Express.

