Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi prej 128 palësh këpucë të markave të mbrojtura, të dyshuara se cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale.
Rasti është zbuluar gjatë mbrëmjes, rreth orës 22:00, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, ku zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, bazuar në analizën e riskut dhe kompetencat ligjore.
Gjatë kontrollit fizik të automjetit, në bagazh janë gjetur këpucët për të cilat drejtuesi nuk ka poseduar dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e tyre.
Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas Doganës, kontrollet do të vazhdojnë me qëllim parandalimin e kontrabandës, tregtisë së paligjshme dhe qarkullimit të mallrave që cenojnë të drejtat e pronësisë intelektuale. /Telegrafi/
