By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Dje më e mira, sot më e pështira
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Dje më e mira, sot më e pështira
TOP Momenti

Dje më e mira, sot më e pështira

Momenti
Published: June 20, 2026

Mbi afatin e shkurtër të miqësisë me Donald Trumpin: rasti i duhanpirëses së deridjeshme Giorgia Meloni.

Nga Samiti i G7 (domethënë: shteteve më të rëndësishme industriale në botë), i cili u mbajt në Evian (kështu quhet edhe një ujë tryeze), u kuptua një gjë: Giorgia Meloni e ka lënë duhanin. E tha vetë. Në Samitin e G7.

Your browser does not support the video tag.

Nëse i reziston joshjes për t’iu rikthyer ndezjes së cigares, atëherë Giorgia Meloni nuk do t’i ngjajë Zeno Cosinit, personazhit të romanit «Ndërgjegjja e Zenos», shkruar nga shkrimtari Italo Svevo. Zeno Cosini është kampion i njeriut që jeton sipas parimit: punën e sotme lëre për nesër, e kur të bëhet nesër, lëre për pasnesër. Kështu vepron edhe me synimin për të lënë duhanin. Romani përfundon, e tymi i cigares vazhdon. Edhe autori Italo Svevo mbeti duhanxhi deri në fund të jetës së tij. Ishte një fund tragjik: Svevo vdiq në një aksident trafiku. Italo Svevo dhe Aleksandër Moisiu ndajnë diçka të përbashkët: të dy u lindën në Trieste. Bustet e tyre qëndrojnë në parkun e qytetit.

Samiti i G7 nuk do të hyjë në histori vetëm për lajmin se Giorgia Meloni i tha lamtumirë cigares. Dhe kjo ka të bëjë me Donald Trumpin. Presidenti amerikan i tha një televizioni italian se Giorgia Meloni i ishte lutur të bënin një fotografi bashkë. Trump tha se nuk donte të bënte fotografi me Melonin, por i kishte ardhur keq ta refuzonte.

Your browser does not support the video tag.

Giorgia Meloni, një version italian i Shote Galicës (pa plis) dhe me zë të ngjirur si Gianna Nannini, nuk ngurroi t’i përgjigjet Trumpit: e quajti gënjeshtar, i tha se as ajo, as Italia nuk bien kurrë në nivelin e lypësit.

Kjo është tani tema kryesore në Itali.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, anuloi një vizitë në SHBA.

Po ashtu u anulua një forum ekonomik italo-amerikan në Florida.

Ministri i Jashtëm tha se llafet e Trumpit ishin «të rënda» dhe «fyese».

Presidenti Sergio Mattarella u solidarizua me kryeministren Meloni.

Në mbrëmjen e së premtes Trump e vazhdoi polemikën. Tha se Meloni ishte një adhuruese e tij, por «s’më duhet si adhuruese, sepse nuk ishte këtu kur bëhej fjalë për Ngushticën e Hormuzit».

Meloni (dhe shumë burrështetas evropianë) nuk i duartrokitën intervenimit të Trumpit kundër Iranit me argumentin se bëhej fjalë për një aksion pa plan.

Këtë javë Trump nënshkroi një gjysmëmarrëveshje me Iranin për të ikur nga aventura persiane. Mediat serioze perëndimore këtë dakordim e quajnë më shumë dorëzim të Trumpit, i cili, kur i nisi avionët për të sulmuar regjimin iranian, tha se liria për popullin e Iranit ishte shumë afër. Atëbotë disa politikane e politikanë në Kosovë thanë po ashtu se «liria për popullin e Iranit është afër», pastaj të njëjtit filluan duartrokitjet digjitale në kanalet e tyre të komunikimit me botën virtuale dhe shpesh krijohej përshtypja se superkomandantet super të shpejta kosovare do të mbërrinin në Teheran para forcave speciale amerikane. Në rast të tillë, aty do ta gjenin edhe kryeministrin e Shqipërisë si çlirimtar të Iranit. (E vërteta e hidhur është se populli iranian mbetet ende nën zgjedhën e një regjimi gjakatar. Regjimi ende disponon me 400 kilogramë uran të pasuruar, me të cilin do të mund të prodhonte brenda një kohe të shkurtër 10 koka bërthamore. Gjysmëmarrëveshja me Iranin nuk përmend dy probleme: programin raketor të Teheranit dhe mbështetjen e grupeve terroriste në rajon, siç janë Hizbollahu në Liban, Hamasi në Haza, lëvizja Huthi në Jemen. Intervenimi i Trumpit i kushtoi buxhetit amerikan 30 miliardë dollarë, ndërsa konsumatorëve amerikanë 130 miliardë dollarë – këtë llogaritje e ka bërë radioja publike amerikane NPR).

Giorgia Meloni nuk është politikane e majtë. Partia e saj në mediat perëndimore quhet parti postfashiste. Të jetë si të jetë – mjafton të lexohet, për shembull, «Corriere della Sera», gazeta liberale italiane (tirazhi: 800 mijë ekzemplarë). Ajo nënvizon: «Trump», shkroi (senatori) Carlo Calenda në (rrjetin) X, «është gënjeshtar serik dhe tiran operetash. Personalisht nuk besoj se Meloni është lutur për ndonjë gjë. Sidoqoftë, këto fyerje duhet hedhur poshtë, pasi lëndojnë nderin e kombit». Për Matteo Renzin, kryetarin e partisë Italia Viva, deklaratat e Trumpit janë «si gjithmonë tmerruese». «E dashur kryeministre, a e kuptove më në fund se një aleancë me këta njerëz do të thotë të jesh kundër Italisë? Tani mjaft më me kapelet MAGA dhe mjaft më me lidhjet me Trumpin». Popullisti i djathtë Matteo Salvini shkroi: «Kush sulmon Giorgian, na sulmon të gjithë ne».

Para një viti situata mes Trumpit dhe Melonit ishte krejt ndryshe. Trump e priti në Shtëpinë e Bardhë. Meloni e përkëdheli me retorikë duke ia përkujtuar se Amerikën e ka zbuluar Kristofer Kolomboja. Pastaj Meloni ia bëri me dije se nga historia buron obligimi për të luftuar të majtën. Trump s’e fshehu gëzimin, sidomos kur Meloni i tha se ndërmarrjet italiane do të investojnë në SHBA 10 miliardë dollarë. Kjo i pëlqen Trumpit. Miliarda, flori, fjalë të mëdha, superlativë – kjo është bota e Trumpit.

Meloni nuk kurseu asgjë në Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha se përfaqësonte «nacionalizmin perëndimor», shtoi se «unë dua të forcoj qytetërimin», «dua ta bëj Europën përsëri madhështore» – a nuk tingëllonte kjo si slogani i Trumpit «Make America Great Again» («Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore»)?

Trump u kundërpërgjigj: Meloni është «një person fantastik», «një grua e mrekullueshme». «Ajo e pushtoi Europën si stuhi dhe gëzon respekt të lartë».

E tani?

Dje Meloni ishte më e mira, sot është më e keqja (sipas Trumpit).

Përkthyer në shqip: kur Meloni pinte duhan, punët me Trumpin i kishte shumë mirë. Sapo e la duhanin, miqësia mori fund. Por jo për shkak të tymit të duhanit.

You Might Also Like

Digjen dy shtëpi nga zjarri që shpërtheu në Veles
Komandanti i KFOR-it takon përfaqësuesit e 31 shteteve kontribuuese, prezanton situatën e sigurisë në Kosovë
Policia: Dy kërcënimet për bombë në Stacionin e Autobusëve u bënë nga i njëjti numër telefonik në Serbi
Kusari-Lila dhe drejtoresha për Zgjerim në KE diskutojnë reformat dhe zhvillimin ekonomik
Mexhiti: Hapen rrugët për realizimin e fazës së tretë të Sheshit “Skënderbeu”

You Might Also Like

Dimitrievski: ZNAM propozon Borçe Serafimovskin për ministër të Bujqësisë
TOP Momenti

Dimitrievski: ZNAM propozon Borçe Serafimovskin për ministër të Bujqësisë

June 30, 2026
Hamasi takohet me shefat e inteligjencës egjiptiane dhe turke në Kajro për zbatimin e armëpushimit në Gaza
TOP Momenti

Hamasi takohet me shefat e inteligjencës egjiptiane dhe turke në Kajro për zbatimin e armëpushimit në Gaza

June 30, 2026
Çollaku: Kriza politike nuk duhet të riciklohet, vendi ka nevojë për institucione
TOP Momenti

Çollaku: Kriza politike nuk duhet të riciklohet, vendi ka nevojë për institucione

June 30, 2026
Nga 1 korriku ndryshojnë çmimet e biletave të transportit publik në Prishtinë
TOP Momenti

Nga 1 korriku ndryshojnë çmimet e biletave të transportit publik në Prishtinë

June 30, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?