Sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Nadica Cepkenoviq, e cila akuzohet për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë seancës, ish-e burgosura Zahrije Podrimçaku ka rrëfyer për torturat dhe përjetimet e rënda gjatë kohës së mbajtjes në burgun e Lipjanit dhe më pas në burgun e Beogradit, ku ishte transferuar.
Ajo ka treguar se në burgun e Beogradit ishte përballur me një gjendje të rëndë psikologjike, duke mos besuar se do të dilte e gjallë prej aty.
“Më transferuan në burgun e Beogradit, aty e dija veten të vdekur dhe nuk besoja se do të kthehesha e gjallë në Kosovë. Dikur aq shumë u lodha pa gjumë dhe nga torturat psikike, duke menduar se çfarë do të ndodhte me mua. Jam çuar për nevoja fiziologjike dhe kam kërkuar ku ka tualet. Kur shkova në tualet, pashë se kishte bojler dhe ujë të vakët. Isha shumë e lodhur. Unë edhe ashtu e konsideroja veten të vdekur dhe s’besoja se do të kthehesha në Kosovë. Kam hyrë dhe i kam pastruar flokët dhe krejt trupin. Thashë, e vdekur se e vdekur, të pastrohem. Sepse më mbuluan djersët nga pagjumësia, lodhja dhe torturat psikike që m’i bënin, duke dëgjuar zhurmat dhe përplasjet e dyerve”, ka rrëfyer Podrimçaku.
Duke folur për qëndrimin e saj në burgun e Lipjanit, ajo ka thënë se kishte qëndruar e vetme në qeli dhe për rreth tre muaj kishte qenë në një dhomë pa dritare dhe në errësirë të plotë.
“Kam qenë edhe në vetmi në burgun e Lipjanit. Tre muaj ditë në një dhomë pa dritare. Krejt terr ka qenë. Kur vinin të na kontrollonin në dhomë, as sytë nuk ua shihja, nuk vërehej a është burrë apo grua. Kisha frikë mos po vijnë meshkuj me të dhunuar. Vetëm ta kam vetëdijen, ta kontrolloj veten”, ka deklaruar ajo. /Indeksonline
The post Dëshmia e Zahrijes: Në burgun e Beogradit e konsideroja veten të vdekur, nuk besoja se do të kthehesha gjallë në Kosovë appeared first on Gazeta Express.

