Avokatja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku, ka deklaruar se ankesa e mbrojtjes ndaj vendimit gjyqësor është ushtruar kryesisht për shkak të shkeljeve procedurale dhe të dispozitave të tjera të procedurës penale.
Zhinipotoku ka thënë se këto shkelje, sipas mbrojtjes, kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit dhe se për këtë arsye ankesa nuk duhet të interpretohet thjesht si kërkesë për ulje të dënimit.
“Ankesa e mbrojtjes është ushtruar fillimisht dhe posaçërisht për shkak të shkeljeve procedurale dhe shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale, të cilat vlerësojmë se kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit”, ka deklaruar ajo për Telegrafin.
Sipas avokates, mbrojtja nuk ka përcaktuar një shifër konkrete si kërkesë për uljen e dënimit.
“Objektivi i ankesës është që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë pretendimet ankimore dhe shkeljet e evidentuara nga mbrojtja dhe të vendosë në përputhje me ligjin”, ka thënë Zhinipotoku.
Ajo ka kërkuar që ankesa të mos paraqitet publikisht vetëm si kërkesë për ulje të dënimit, pasi, sipas saj, një interpretim i tillë nuk e pasqyron përmbajtjen dhe bazën e ankesës.
Avokatja ka ngritur gjithashtu shqetësimin se përmbajtja e ankesës është bërë publike menjëherë pas dorëzimit të saj dhe është publikuar në disa media./Telegrafi/

