Kosova ka arritur rezultat maksimal në raportimin mjedisor për vitin 2025, duke përmbushur 100 për qind të obligimeve në kuadër të rrjedhave kryesore të të dhënave të Rrjetit Evropian të Informacionit dhe Vëzhgimit të Mjedisit (EIONET).
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), ky rezultat e rendit Kosovën si të vetmin vend që ka arritur përmbushje të plotë të obligimeve të raportimit për vitin 2025.
Vlerësimi është bërë nga EIONET, rrjet i Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA), dhe përfshin qindra grupe të të dhënave, duke matur performancën e vendeve sa i përket përpikërisë kohore dhe cilësisë së të dhënave.
Përveç Kosovës, shtatë vende të tjera kanë arritur rezultat prej 90 për qind ose më lart. Në këtë grup bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Kroacia, Irlanda, Hungaria, Polonia, Serbia dhe Sllovakia.
AMMK ka marrë pikët maksimale në të gjitha fushat obligative të raportimit, përfshirë të dhënat vjetore dhe online për cilësinë e ajrit, emisionet në ajër, gazrat serrë, zonat e mbrojtura, cilësinë e ujërave dhe sasinë e ujërave.
Ky është viti i pestë radhazi që Kosova arrin rezultat maksimal në përmbushjen e obligimeve të raportimit në kuadër të EIONET.
Sipas AMMK-së, ky sukses është rezultat i punës së ekspertëve të institucionit, bashkëpunimit me institucionet e tjera monitoruese në nivel kombëtar, si dhe mbështetjes së donatorëve përmes projekteve të ndryshme.
Ndërkohë, Strategjia EEA-EIONET 2021–2030 përcakton si një nga treguesit kryesorë arritjen e një rezultati mesatar të raportimit prej së paku 90 për qind. Për vitin 2025, performanca mesatare ishte 88 për qind për 27 vendet e Bashkimit Evropian dhe 85 për qind për të gjitha vendet e EEA-së dhe vendet bashkëpunuese.
AMMK vlerëson se ky rezultat dëshmon përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e detyrimeve në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë Evropiane të Mjedisit dhe EIONET, si dhe në avancimin e procesit të integrimit evropian.
The post AMMK: Kosova e para me 100% përmbushje të obligimeve të raportimit mjedisor në EIONET appeared first on Gazeta Express.

