Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për kushtëzimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit me miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se çështja e presidentit është shumë e rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Ajo ka vlerësuar se PDK-ja, e cila ka kontribuar në themelimin e Gjykatës Speciale, nuk duhet të vendosë kushte të tilla, ndërsa ka theksuar se partitë politike duhet t’i lënë anash interesat personale dhe të bashkëpunojnë për zgjedhjen e presidentit.
“Po besoj që kushtëzimet e tilla më së miri e shpërfaqin interesin e vërtetë të partive politike, sepse një parti politike si PDK, e cila ka kontribuar në krijimin e Gjykatës Speciale specifikisht, mendoj që nuk e ka aspak luksin të vërë kushtëzime të tilla dhe ky kushtëzim na tregon që nuk është që e kanë ndoshta me të vërtetë shumë të rëndësishme çështjen e ligjit, sepse nuk mund të kushtëzosh duke thënë votoje ligjin e po pastaj ndalemi edhe bisedojmë për çështjen e presidentit. Çështja e presidentit është shumë e rëndësishme, për shumë arsye, sidomos për mënyrën se si ka me ec tutje Kosova përpara. Kështu që duhet me i lënë anash këto interesat personale, fatkeqësisht po është e pamundur siç po shihet prej këtyre partive politike, edhe prej deklaratave të këtyre deputetëve të këtyre partive që po i kanë individuale, pra gjithçka po e lidhin politikisht, gjithçka po e lidhin me interesin e vet personal, edhe prandaj po kushtëzojnë. Edhe po mendoj që PDK më së paku e ka luksin me bë kushtëzime të tilla”, tha ajo.
Kryeziu-Hyseni ka paralajmëruar se nëse partitë politike nuk arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
“Çështja e presidentit është shumë e rëndësishme. Nëse ka interes për një marrëveshje prej partive politike, duhet të tejkalohet maksimumi deri më datën 6 tetor. Përndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje, e do të shkojmë në zgjedhje pikërisht për shkak të mosvullnetit të këtyre partive politike me bashkëpunu që ne me e zgjedh presidentin në Kuvend”, tha ajo./EO/
The post Arbëreshë Kryeziu: PDK-ja nuk e ka luksin të kushtëzojë çështjen e Presidentit me ligjin për Specialen appeared first on Gazeta Express.

