“Zgjerimi i Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor sot nuk është vetëm një investim në stabilitetin rajonal, por edhe një investim strategjik në sigurinë, forcën dhe të ardhmen e Evropës”, tha ministri i Jashtëm Timço Mucunski në hapjen e konferencës “Dialogët Evropianë, Trashëgimia Evropiane dhe e Ardhmja”, e cila do të mbahet në Shkup nga sonte deri më 2 tetor.
Në hapjen e konferencës, të organizuar nga Instituti Francez në Paris, Instituti Francez në Shkup dhe Ambasada e Francës në Maqedoninë e Veriut, Mucunski theksoi se të rinjtë nga Ballkani Perëndimor kanë një rol kyç në formësimin e së ardhmes së Evropës.
“Sot, zgjerimi nuk është më vetëm një investim në stabilitetin e rajonit tonë. Është një investim strategjik i Evropës në sigurinë, forcën dhe të ardhmen e saj”, theksoi Mucunski.
Ai theksoi se anëtarësimi në BE mbetet një angazhim strategjik i shtetit, por se procesi i integrimit duhet të kontribuojë në forcimin e institucioneve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët, dhe jo në ndryshimin e identitetit kombëtar.
“Procesi i anëtarësimit duhet të transformojë shoqërinë tonë, të forcojë institucionet tona dhe të krijojë më shumë mundësi për qytetarët tanë. Nuk duhet të transformojë identitetin tonë kombëtar”, tha Mucunski.

