Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Çitaku ka kundërshtuar interpretimin se vendimi i Speciales lidhet vetëm me përgjegjësi individuale për krime ndaj pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme, duke thënë se çështja, sipas saj, shkon përtej përgjegjësisë së katër të dënuarve.
Në reagimin e saj, ajo ka vënë theksin te gjetjet e gjykatës lidhur me pretendimin për një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Kuvendi i Kosovës, në deklaratën e miratuar më 28 shtator, po ashtu e ka cilësuar të papranueshëm përfundimin mbi ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.
“Qartazi, Ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, procesi nuk duhet reduktuar vetëm në veprime individuale të ish-krerëve të UÇK-së.
“Sepse këtu nuk bëhet fjalë për dënime për vepra individuale. UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi. Dhe këtë nuk mund ta mbuloni me një fjali diplomatike”, ka shkruar ajo.
Çitaku ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, aktgjykimi mund të relativizohet në diskursin publik dhe politik.
“Mos na qitni hi syve. Ju mundeni me e pranu këtë vendim. Mundeni me e relativizu. Mundeni me e reduktu në katër emra dhe me vazhdu tutje, sikur asgjë nuk ka ndodhur”, ka shkruar ajo.
Ajo ka shtuar se nuk do ta pranojë që lufta e UÇK-së të përshkruhet përmes një gjuhe që, sipas saj, e lidh luftën çlirimtare me kriminalitetin.
“Po ne jo. Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, ka thënë Çitaku.
Ambasadori britanik Hargreaves, tha të martën se “Dënimet e fundit kanë të bëjnë me krime individuale të kryera ndaj viktimave nga komunitete të ndryshme. Ato në asnjë mënyrë nuk përbëjnë gjykim për shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për ta përcaktuar të ardhmen e saj, të cilën Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbrojë fuqishëm”.
Çitaku edhe ditët e fundit ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si aktgjykimi mund të ndikojë në interpretimin e luftës së UÇK-së, duke argumentuar se çështja shkon përtej fatit juridik të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./Telegrafi.

