Presidenti amerikan Donald Trump shtroi këtë të martë një drekë për drejtuesit e kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale, duke arritur të mbledhë rreth së njëjtës tryezë persona me pasuri marramendëse, por edhe rivalitete që për pak kohë u lanë mënjanë.
Sipas Axios, 31 drejtues kompanish iu përgjigjën pozitivisht ftesës së Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan shfaqet i rrethuar nga Jensen Huang, drejtuesi i Nvidia-s, në të djathtë të tij, dhe Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, në të majtë.
Më tej shfaqen Mark Zuckerberg i Facebook dhe Sundar Pichai i Google. Në tryezë janë gjithashtu Jeff Bezos i Amazon dhe Satya Nadella i Microsoft, si dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson.
Të pranishëm ishin edhe drejtuesja e AMD-së, Lisa Su, si dhe presidenti i OpenAI, Greg Brockman.
Nga Shtëpia e Bardhë dhe administrata amerikane morën pjesë gjithashtu zëvendëspresidenti J.D. Vance, sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles, sekretari i Thesarit Scott Bessent dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Michael Kratsios.
Duke iu drejtuar drejtuesve të kompanive lidhur me mundësinë e vendosjes së kufizimeve të mëtejshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, Trump deklaroi se rruga përpara duhet të jetë “vetërregullimi i madh”, në kundërshtim me thirrjet për mbikëqyrje më të madhe nga Kongresi.
Sa i përket qendrave të të dhënave, Trump këmbënguli se këto objekte do të bëhen shumë të kërkuara, pavarësisht sondazheve që tregojnë se shumica dërrmuese e amerikanëve nuk e mbështesin ndërtimin e më shumë qendrave të të dhënave në zonat e tyre.
“Zonat me qendra të të dhënave janë bërë shumë të pasura”, deklaroi Trump, duke shtuar: “Njerëzit janë bërë shumë të pasur. Taksat e tyre janë ulur, nuk janë rritur, dhe kanë ndodhur shumë gjëra të mira”. /Panorama
The post Një tavolinë me vlerë triliona dollarë, dreka e Trump me shefat e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Gazeta Express.

