Gazetari i njohur i CNN-it, Fareed Zakaria, e ka përballur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të kaluarën e Serbisë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, duke përmendur në mënyrë të veçantë Srebrenicën.
Në materialin hyrës të intervistës, CNN rikujton se Vuçiq ndodhet në pushtet prej më shumë se një dekade, ndërsa trajtohen edhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.
Serbia përshkruhet gjithashtu si një vend me një të kaluar të lidhur me “nacionalizmin e dhunshëm”.
Zakaria e nis bisedën duke i thënë Vuçiqit se për një pjesë të madhe të opinionit në Perëndim, Serbia vazhdon të lidhet me luftërat e viteve ’90 në Ballkan.
“Shumica në botën perëndimore, kur mendojnë për Serbinë, mendojnë për luftërat në Ballkan, për atë që ndodhi në vende si Srebrenica, dhe ka shpresë se Serbia e ka lënë pas atë të kaluar”, i thotë Zakaria presidentit serb.
Në momentin kur gazetari i CNN-it flet për këtë periudhë, në material shfaqen edhe pamje të civilëve me duar të lidhura dhe të shtrirë në tokë para ekzekutimit.
Mediat serbe kanë raportuar po ashtu se një pjesë e rëndësishme e bisedës është përqendruar në trashëgiminë e luftërave, Srebrenicën dhe raportin e Serbisë me atë periudhë.
